Projekti “Shërbime sociale të integruara për përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara në bashkinë Shijak,” financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Bashkia Shijak në bashkëpunim me Shoqatën “Ndihmoni Jetën” dhe Fondacionin Down Syndrome Albania u zbatua në periudhën qershor 2022-shtator 2024.
Shtyllat kryesore të këtij projekti ishin: ofrimi i shërbimeve të specializuara, ofrimi i shërbimit të ndërhyrjes së hershme në qendër dhe në familje, ofrimi i shërbimit të lëvizshëm, etj. Gjithashtu, një komponent tepër i rëndësishëm ishte edhe ngritja e kapaciteteve të profesionistëve dhe ngritja e rrjetit të aktorëve lokalë të cilët do të punojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Bashkinë Shijak.
Në kuadër të këtij projekti është realizuar një analizë e situatës së shërbimeve të Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme në Shqipëri dhe, bazuar në këtë analizë por dhe në përvojën ndërkombëtare të këtyre shërbimeve, është hartuar për herë të parë në Shqipëri një model i ofrimit të shërbimeve të Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme me në Qendër Familjen. Ky model shërbimi synon të gjeneralizohet dhe replikohet për të gjitha shërbimet e Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme me në Qendër Familjen në Shqipëri.