Kalo te përmbajtja

#RunForDSA 2026 përmbyllet me sukses: 407 garues, 50.960 euro të mbledhura dhe çmimi i grupit më të madh në Maratonën e Tiranës

Read in English

Fondacioni Down Syndrome Albania përmbylli me sukses edicionin e gjashtë të fushatës #RunForDSA – “Garo, mbështet si maratonomak”, të organizuar në kuadër të Maratonës së Tiranës, e cila u zhvillua në edicionin e saj të dhjetë.

Fushata e këtij viti shënoi një tjetër sukses të rëndësishëm për fondacionin, duke bashkuar qindra garues, kompani dhe dhurues individualë në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

407 garues iu bashkuan ekipit #RunForDSA, ndërsa fondet e mbledhura arritën në 50.960 euro, duke tejkaluar objektivin prej 50.000 eurosh të vendosur për këtë edicion.

Përveç suksesit në mbledhjen e fondeve, ekipi #RunForDSA fitoi edhe çmimin për grupin me pjesëmarrjen më të madhe në mbështetje të një kauze, të akorduar nga organizatorët e Maratonës së Tiranës, i cili shoqërohet me një kontribut financiar shtesë prej 500 eurosh.

Çdo hap i garuesve, një mundësi më shumë për fëmijët

Fondet e mbledhura përmes kësaj fushate do të përdoren për të mbështetur vazhdimësinë e shërbimeve të specializuara terapeutike për fëmijët me sindromën Down, autizëm dhe aftësi të tjera të kufizuara e sfida në zhvillim, të cilët frekuentojnë Qendrën e Shërbimeve PRO PAK të Fondacionit Down Syndrome Albania.

Përmes këtyre shërbimeve, fondacioni mbështet zhvillimin, komunikimin, autonominë dhe përfshirjen e fëmijëve, duke u ardhur në ndihmë edhe familjeve të tyre, shumë prej të cilave përballen me vështirësi ekonomike.

Kompanitë dhe individët që bënë të mundur suksesin

Suksesi i fushatës u bë i mundur falë mbështetjes së kompanive dhuruese dhe kontributeve individuale.

Ndër mbështetësit me kontributet më të mëdha të këtij edicioni ishin PwC Albania, Jet Bank, Sisal | Flutter Sea, Credins Bank, Blloshmi Family Fund, Fibank, Concentrix Albania, Alumil Albania, Inditex Albania, One, Kurti Unibllok, EasyPay, Agral, Fix, Azure Dental Atelier, Patoko, De’Milia Barbers.

Një kontribut i rëndësishëm erdhi gjithashtu nga dhuruesit individualë, të cilët mbështetën fushatën përmes dhurimeve online në platformën Zeffy.

Fondacioni Down Syndrome Albania shpreh mirënjohjen e tij për çdo kompani, individ dhe grup që kontribuoi financiarisht apo ndihmoi në përhapjen e mesazhit të fushatës.

Tre garues të #RunForDSA në podiumin e Maratonës së Tiranës

Edicioni i këtij viti solli edhe rezultate të shkëlqyera sportive për ekipin #RunForDSA, me tre garues që u ngjitën në podium:

  • Tirron Mamusha – Vendi i dytë në kategorinë 21 km, meshkuj.
  • Malvin Nikolla – Vendi i tretë në kategorinë 21 km, meshkuj.
  • Kristiana Lee – Vendi i dytë në kategorinë “We Too”.

Mirënjohje për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë edicion

Fondacioni Down Syndrome Albania falënderon Bashkinë Tiranë dhe organizatorët e Maratonës së Tiranës, në veçanti drejtoreshën Iva Beharaj, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e kësaj fushate.

Një falënderim i veçantë u drejtohet edhe kompanive partnere që kontribuuan në organizimin dhe promovimin e fushatës: Business Magazine, Univers Group, DBS Group, Dominer, BEA Marketing and Promotion dhe Merx Marketing.

Mbi të gjitha, mirënjohja më e thellë shkon për secilin prej 407 garuesve të ekipit #RunForDSA, të cilët zgjodhën të vrapojnë jo vetëm për një rezultat sportiv, por edhe për një kauzë që ndryshon jetë.

Çdo hap i hedhur nga vija e nisjes deri në atë të mbërritjes, çdo dhurim dhe çdo përpjekje për të sensibilizuar publikun për të drejtat dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara, ka qenë pjesë e këtij suksesi të përbashkët.

Faleminderit nga zemra të gjithëve që besuat, garuat dhe mbështetët!

Mirupafshim në #RunForDSA 2027, për të vazhduar së bashku garën tonë për më shumë mundësi, dinjitet dhe gjithëpërfshirje!