Kalo te përmbajtja

Politika e Mbrojtjes së Fëmijëve

Përmirësuar më: qershor 2026

Fondacioni Down Syndrome Albania (DSA) është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në shtator të vitit 2013 nga prindër të një fëmije me sindromën Down, të cilët identifikuan nevojën urgjente për të krijuar një mjedis më mbështetës, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Që nga themelimi i saj, DSA ka punuar për të promovuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht të personave me sindromën Down dhe familjeve të tyre, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut. Organizata udhëhiqet nga parimet e barazisë, mosdiskriminimit, pjesëmarrjes aktive dhe respektimit të dinjitetit të çdo individi.

Përgjatë viteve, DSA ka zhvilluar dhe ofruar një gamë të gjerë shërbimesh profesionale për fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre, përfshirë vlerësime multidisiplinare, terapi zhvillimi, mbështetje psikologjike, programe të ndërhyrjes së hershme, trajnime për prindërit, si dhe aktivitete për promovimin e pavarësisë dhe përfshirjes sociale. Në vitin 2014, organizata çeli Qendrën e Shërbimeve PRO PAK, një nga qendrat e para të specializuara në vend për ofrimin e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara. Përveç ofrimit të shërbimeve direkte, DSA ka luajtur një rol të rëndësishëm në advokimin për politika dhe praktika më gjithëpërfshirëse në fushat e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes sociale dhe punësimit. Organizata bashkëpunon ngushtë me institucionet publike, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare, profesionistët e fushave të ndryshme dhe komunitetin e familjeve për të përmirësuar cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuara dhe për të garantuar akses të barabartë në shërbime dhe mundësi.

Vizioni

Për një jetë të shëndetshme, të pavarur dhe gjithëpërfshirëse për individët me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Misioni

Të mbështesë zhvillimin e plotë të individëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Të promovojë dhe mbrojmë të drejtat e tyre përmes vlerës së të drejtave të njeriut dhe bazuar ne parimet e mos diskriminimit, dinjitetit të individit, pranimit dhe gjithëpërfshirjes duke rritur ndërgjegjësimin, advokuar dhe punuar me etikë dhe profesionalizëm të lartë në mënyrë transparente.

Versionet e dokumentit

VitiHartuar ngaDetajetRishikuar dhe miratuar nga
2018Ekipi i menaxhimit të lartë (Mirela Juka & Flavia Shehu)Hartimi i draftit të parëDrejtori Ekzekutiv
2020Ekipi i menaxhimit të lartë (Mirela Juka & Flavia Shehu)RishikimDrejtori Ekzekutiv
2023Ekipi i menaxhimit të lartë (Mirela Juka & Flavia Shehu)RishikimDrejtori Ekzekutiv
2026Ekipi i menaxhimit të lartë (Mirela Juka & Flavia Shehu)Drafti i dytë, bazuar në modelin e NISMA ARSISDrejtori Ekzekutiv

Miratuar nga: Emanuela Zaimi, Drejtor ekzekutiv; Flavia Shehu, Drejtuese e Qendrës së Shërbimeve; Mirela Juka, Menaxhere e programeve.

Përkufizime

  • Fëmijë: Çdo person nën moshën 18 vjeç. Nëse mosha e personit nuk mund të përcaktohet me saktësi, por ka arsye për të besuar se ai është fëmijë, ai do të konsiderohet fëmijë në kuptimin e këtij ligji derisa mosha të përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi.
  • Abuzimi i Fëmijës: Çdo veprim ose mosveprim nga individë, institucione apo procese që dëmton drejtpërdrejt ose tërthorazi fëmijët ose cenon mundësinë e tyre për një zhvillim të sigurt dhe të shëndetshëm drejt moshës madhore. Kategoritë kryesore të abuzimit ndaj fëmijëve janë: abuzimi fizik, abuzimi emocional, neglizhimi/trajtimi neglizhent, shfrytëzimi dhe abuzimi seksual, si dhe shfrytëzimi.
  • Abuzimi fizik: Ndodh kur një person dëmton qëllimisht ose kërcënon të dëmtojë një fëmijë. Sjelljet fizikisht abuzive përfshijnë shtyrjen, goditjen, shuplakën, tundjen, hedhjen, grushtimin, shkelmimin, kafshimin, djegien, mbytjen dhe helmimin. Dëmtimet fizike ose vuajtjet mund të përfshijnë, por nuk kufizohen në: mavijosje, shenja, ënjtje të indeve të buta, hematoma, fraktura, ndrydhje, zhvendosje të kyçeve, djegie, dëmtime të organeve, vdekje, deformime të përhershme dhe çdo dëmtim tjetër jo të lehtë.
  • Neglizhimi: Dështimi i vazhdueshëm, kur ekzistojnë mjetet, ose mohimi i qëllimshëm për t’i siguruar fëmijës ujë të pastër, ushqim, strehim, kushte higjieno-sanitare, mbikëqyrje ose kujdes, deri në atë masë sa shëndeti dhe zhvillimi i fëmijës vihen në rrezik.
  • Abuzimi emocional: Një sulm i vazhdueshëm ndaj vetëvlerësimit të fëmijës. Mund të ndodhë si ngjarje e izoluar ose në mënyrë të vazhdueshme. Përfshin, por nuk kufizohet në: trajtim poshtërues ose degradues, mosplotësim të nevojave emocionale të fëmijës, refuzim, injorim, terrorizim, izolim ose kufizim të tij. Shembuj janë: etiketimi me nofka fyese, kërcënimet, tallja, turpërimi, frikësimi ose izolimi i fëmijës.
  • Abuzimi seksual i fëmijës: Ndodh kur një fëmijë përdoret nga një fëmijë tjetër, adoleshent ose i rritur për stimulimin ose kënaqësinë e tij seksuale. Përfshin të gjitha format e dhunës dhe detyrimit seksual, joshjen seksuale, manipulimin ose mashtrimin, përfshirë incestin, martesat e hershme dhe të detyruara, përdhunimin, përfshirjen ose ekspozimin ndaj imazheve/videove të pahijshme (pornografi), skllavërinë seksuale/trafikimin dhe marrëdhëniet seksuale me të mitur. Mund të përfshijë prekje të pahijshme, ekspozim të pjesëve intime, përdorim të gjuhës seksuale ndaj ose për një fëmijë dhe procesin e joshjes (grooming). Abuzimi seksual nuk përfshin gjithmonë kontakt fizik. Shfrytëzimi seksual është çdo abuzim real ose i tentuar i një pozite cenueshmërie, pushteti apo besimi për qëllime seksuale, duke përfshirë përfitime financiare, sociale ose politike nga shfrytëzimi seksual i një personi tjetër.
  • Grooming (Joshja): Procesi në të cilin një i rritur krijon marrëdhënie me një fëmijë ose kujdestarin e tij për të fituar besimin e tyre me qëllim abuzimin dhe/ose shfrytëzimin seksual të fëmijës. Ky proces zakonisht zhvillohet në faza dhe mund të ndodhë online ose ballë për ballë, nga një i panjohur ose nga dikush që fëmija apo kujdestari e njeh. Për shkak se është gradual, shpesh është i vështirë për t’u identifikuar.
  • Shfrytëzimi i fëmijëve: Përfshin abuzimin seksual të fëmijës nga një i rritur dhe shpërblimin me para ose në natyrë për fëmijën ose një palë të tretë. Fëmija trajtohet si objekt seksual dhe njëkohësisht si objekt komercial. Shfrytëzimi Seksual Komercial i Fëmijëve përbën një formë detyrimi dhe dhune ndaj fëmijëve, si dhe konsiderohet punë e detyruar dhe një formë moderne e skllavërisë.
  • Shfrytëzimi seksual online i fëmijëve: Përfshin të gjitha veprimet me natyrë shfrytëzuese seksuale të kryera ndaj një fëmije që në një fazë kanë lidhje me mjedisin online. Kjo përfshin çdo përdorim të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit (TIK) që rezulton në shfrytëzim seksual të fëmijës ose prodhimin, blerjen, shitjen, posedimin, shpërndarjen ose transmetimin e materialeve që dokumentojnë një shfrytëzim të tillë.
  • Puna e fëmijëve: Shpesh përkufizohet si puna që ua mohon fëmijëve fëmijërinë, potencialin dhe dinjitetin e tyre, dhe që është e dëmshme për zhvillimin fizik dhe mendor. Ajo i referohet punëve që janë mendërisht, fizikisht, socialisht ose moralisht të rrezikshme dhe që ndërhyjnë në arsimimin dhe aktivitetet rekreative të fëmijëve. Në format më ekstreme, puna e fëmijëve përfshin skllavërimin, ndarjen nga familja dhe ekspozimin ndaj rreziqeve serioze dhe sëmundjeve.
  • Martesa e fëmijëve: Një martesë formale ose bashkëjetesë joformale përpara moshës 18 vjeç. Ajo prek si vajzat ashtu edhe djemtë, megjithëse vajzat preken në mënyrë disproporcionale. Martesa e hershme mund të çojë në një jetë me disavantazhe dhe privime.
  • Trafikimi i fëmijëve: Përfshin çdo rol në rekrutimin, transportimin ose pranimin e fëmijëve për qëllime shfrytëzimi, përmes kërcënimit, forcës ose formave të tjera të detyrimit, duke përfshirë edhe abuzimin me pushtetin.
  • Fëmijë në nevojë për mbrojtje: Personi nën moshën 18 vjeç, pavarësisht aftësisë së tij për të vepruar sipas legjislacionit në fuqi, i cili mund të jetë viktimë e abuzimit, neglizhimit, shfrytëzimit, diskriminimit, dhunës ose veprave penale; si dhe individi nën moshën e përgjegjësisë penale që dyshohet ose akuzohet për kryerjen e një vepre penale dhe fëmijët në konflikt me ligjin.
  • Mbrojtja e fëmijës: Parandalimi dhe reagimi ndaj dhunës, abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit të fëmijës, përfshirë rrëmbimin, abuzimin seksual, trafikimin dhe punën e fëmijëve.
  • Pjesëmarrja e fëmijës: Një proces i vazhdueshëm i përfshirjes aktive të fëmijës dhe respektimit të së drejtës së tij për të shprehur mendime dhe për t’u dëgjuar në të gjitha nivelet e vendimmarrjes për çështjet që e prekin.
  • Mbrojtja institucionale e fëmijës (Child Safeguarding): Tërësia e politikave, procedurave dhe praktikave që përdoren për të siguruar që DSA të jetë një organizatë e sigurt për fëmijët. Kjo përfshin përgjegjësinë kolektive dhe individuale, si dhe veprimet parandaluese për të mbrojtur fëmijët nga veprimet e qëllimshme ose të paqëllimshme që mund të shkaktojnë rrezik ose dëm nga stafi, përfaqësuesit dhe palët e treta që kanë kontakt me fëmijët ose ndikojnë tek ata përmes programeve, ndërhyrjeve mbrojtëse dhe operacioneve të organizatës. Kjo përfshin gjithashtu menaxhimin e të dhënave personale të fëmijëve.
  • Mirëqenia e fëmijës (Child Welfare): Konsiston në krijimin e një komuniteti të sigurt për fëmijët. Përfshin rastet e dyshuara të abuzimit ndaj fëmijëve që ndodhin jashtë DSA dhe/ose që sipas ligjit apo normave lokale duhet të raportohen tek autoritetet përkatëse, duke përfshirë abuzimin familjar, komunitar ose institucional.
  • Dhuna në familje: Përfshin dhunën verbale, fizike, seksuale ose emocionale brenda familjes ose shtëpisë, të cilën fëmija e dëshmon, zakonisht në mënyrë të përsëritur.
  • Kontakti me fëmijët: Punë ose aktivitet që përfshin ose mund të përfshijë kontakt të drejtpërdrejtë (përfshirë kontaktin online) ose të tërthortë (si përdorimi i imazheve të fëmijëve) me fëmijët. Ky kontakt mund të jetë pjesë e përshkrimit të detyrës ose të ndodhë gjatë kryerjes së punës, si p.sh. gjatë aktiviteteve në komunitet.
  • Puna me fëmijët: Nënkupton përfshirjen në një aktivitet me një fëmijë, ku kontakti me të pritet në mënyrë të arsyeshme si pjesë normale e aktivitetit dhe nuk është rastësor. Puna përfshin edhe vullnetarizmin.

Hyrje

Politika e mbrojtjes së fëmijëve (Child Safeguarding) dhe procedurat e saj zbatohen në të gjitha operacionet dhe aktivitetet e zhvilluara nga ose në emër të DSA për DSA. Kjo politikë njeh dhe forcon angazhimin tonë si organizatë për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe për t’i mbrojtur ata nga të gjitha format e dëmtimit dhe abuzimit. DSA ofron mbrojtje për çdo fëmijë, të ri dhe familjet e tyre që ndodhen në situata vulnerabël, dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve si dhe promovimi i mirëqenies së tyre janë thelbësore për punën tonë.

Qëllimi i Politikës dhe Procedurave të Mbrojtjes së Fëmijëve është të rregullojë mënyrën se si ne veprojmë si organizatë, në mënyrë që fëmijët me të cilët jemi në kontakt (drejtpërdrejt ose tërthorazi) të jenë të mbrojtur dhe të promovohet mirëqenia e tyre, si dhe të sigurohet që veprimet tona, gjatë zbatimit të programeve ose aktiviteteve institucionale, të mos shkaktojnë asnjë dëm ndaj fëmijëve.

Politika e mbrojtjes së fëmijëve përbën një deklaratë të pritshmërive profesionale që organizata ka ndaj punonjësve të saj dhe personave të tjerë kur ata vijnë në kontakt me fëmijët gjatë ushtrimit të detyrave të tyre. Të gjithë punonjësit dhe të rriturit e tjerë që kanë kontakt me fëmijë duhet të jenë të ndërgjegjshëm për kërkesat e kësaj politike, duke pasur parasysh se ekziston një “detyrim kujdesi”, sipas të cilit punonjësit dhe personat e tjerë jo vetëm që duhet të zbatojnë parimet e praktikës së mirë në punën me fëmijët, por gjithashtu kanë përgjegjësi, dhe në shumë raste detyrim ligjor, për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve nën kujdesin e tyre.

Fëmijët janë të ekspozuar ndaj rrezikut të dëmtimit nga burime të ndryshme, prandaj punonjësit dhe personat e tjerë kanë përgjegjësinë të zvogëlojnë këto rreziqe duke kundërshtuar praktikat e papërshtatshme, si dhe duke identifikuar dhe menaxhuar rreziqet që mund të prekin fëmijët me të cilët punojnë.

Deklarata e angazhimit dhe parimet udhëzuese

Ky dokument është hartuar në përputhje me legjislacionin dhe standardet kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me të drejtat, sigurinë dhe mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve.

Interesi më i lartë i fëmijës do të jetë konsiderata kryesore në çdo veprim që lidhet me fëmijët. Fëmijët duhet të mbrohen dhe të promovohen në çdo situatë dhe në çdo kontekst.

Në të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët dhe gjatë trajtimit të çdo shqetësimi që lidhet me sigurinë ose mirëqenien e një fëmije, interesi më i lartë i fëmijës do të jetë konsiderata jonë parësore.

DSA beson se fëmijët kanë të drejtë të jenë pjesëmarrës aktivë në të gjitha çështjet që ndikojnë në jetën e tyre dhe se ata janë të aftë të bëjnë zgjedhje dhe të marrin vendime konform zhvillimit të tyre.

Vendimet që merren për fëmijët dhe të rinjtë do të merren, sa më shumë që të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e tyre dhe në interesin e tyre më të mirë, duke marrë në konsideratë të plotë ndikimin që këto vendime mund të kenë mbi ta.

Mund të ketë raste kur të rriturit duhet të marrin vendime në emër të fëmijëve për t’i mbrojtur ata nga dëmtimi ose rreziku, por edhe në këto raste interesi më i lartë i fëmijës duhet të mbetet konsiderata kryesore në procesin e vendimmarrjes.

Në rast se kjo politikë shkelet dhe si pasojë shkaktohet dëm, DSA angazhohet të dëgjojë fëmijën dhe të veprojë në përputhje me dëshirat dhe interesin e tij/saj, ashtu siç përcaktohet në Ligjin nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”.

Dokumentet dhe standardet referuese

Kjo politikë mbështetet në dokumentet dhe standardet e mëposhtme kombëtare dhe ndërkombëtare:

  • Konventa për të Drejtat e Fëmijës (CRC), e cila ofron kuadrin ndërkombëtar për të drejtën e mbrojtjes nga të gjitha format e dhunës, diskriminimit dhe formave të ndryshme të shfrytëzimit.
  • Rezoluta S-27/2 “Një botë e përshtatshme për fëmijët” (2002) dhe Komenti i Përgjithshëm nr. 13 (2011) i Komitetit për të Drejtat e Fëmijës mbi të drejtën e fëmijëve për të mos iu nënshtruar asnjë forme dhune, të cilat e përcaktojnë mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve si një prioritet absolut.
  • Udhëzimet për Politikat e Mbrojtjes së Fëmijëve (Child Safeguarding Policy Guidelines) të ChildFund Alliance.
  • Standardet Minimale për Mbrojtjen e Fëmijëve në Veprimet Humanitare (2012), të hartuara nga Child Protection Working Group.

Të gjithë fëmijët, pa asnjë lloj përjashtimi apo dallimi, kanë të drejtë të mbrohen nga çdo formë dhune dhe që dinjiteti i tyre të respektohet.

Çdo formë dhune ndaj fëmijëve ose ndërmjet fëmijëve përbën shkelje të të drejtave të tyre.

Tolerancë zero ndaj abuzimit, shfrytëzimit dhe çdo forme dhune ndaj fëmijëve

DSA zbaton një qasje me tolerancë zero ndaj çdo forme të abuzimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve. Ky angazhim realizohet përmes masave të forta parandaluese dhe mekanizmave efektivë të reagimit, duke ofruar mbështetje për viktimat dhe duke kërkuar llogaridhënie nga personat përgjegjës për dëmin e shkaktuar ose për sjellje të papranueshme.

DSA do të sigurojë që të gjithë personat e përfshirë në zbatimin e aktiviteteve dhe programeve të saj të kenë akses në informacionin e nevojshëm mbi mënyrat e raportimit të shqetësimeve ose pretendimeve për shfrytëzim, abuzim ndaj fëmijëve apo shkelje të tjera të kësaj politike.

Organizata do të ndërmarrë veprime të menjëhershme pas çdo raportimi ose dyshimi të arsyeshëm për shkelje të kësaj politike, duke vendosur gjithmonë në qendër sigurinë, mbrojtjen dhe interesin më të lartë të fëmijës.

Çdokush ka përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve

Kjo politikë është e detyrueshme për të gjithë personat që punojnë për ose në emër të DSA-s, duke përfshirë punonjësit, vullnetarët, partnerët dhe çdo bashkëpunëtor tjetër.

Megjithëse organizata do të ofrojë trajnim, këshillim dhe mbështetje të vazhdueshme, secili person ka përgjegjësinë të angazhohet në mënyrë aktive për të përmbushur detyrimet e tij lidhur me mbrojtjen e fëmijëve dhe për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për ta.

Çdo kontratë pune, kontratë shërbimi ose marrëveshje vullnetarizmi duhet të shoqërohet me nënshkrimin e Politikës së mbrojtjes së fëmijëve, ose me një deklaratë që konfirmon njohjen, pranimin dhe respektimin e kësaj politike, siç përcaktohet në kontratën përkatëse të punës ose të shërbimit.

Promovohet një rrjet aktiv i mbrojtjes së fëmijëve dhe i trajtimit pozitiv brenda organizatës, duke bashkuar përpjekjet për të siguruar mbrojtjen efektive të fëmijëve

Mbrojtja e fëmijëve përbën një prioritet për DSA-n, duke pranuar se situatat e abuzimit, neglizhimit ose dëmtimit mund të zhvillohen dhe të mbeten të pazbuluara kur stafi, vullnetarët, partnerët, fëmijët, familjet dhe anëtarët e komunitetit nuk ndihen të sigurt ose të aftë për të ngritur shqetësimet e tyre.

Për këtë arsye, organizata promovon një kulturë të trajtimit pozitiv, respektit dhe mbrojtjes së fëmijëve, duke inkurajuar komunikimin e hapur, raportimin e shqetësimeve dhe bashkëpunimin ndërmjet të gjitha palëve të përfshira.

Vëmendje e veçantë i kushtohet krijimit dhe ruajtjes së mjediseve të sigurta për fëmijët në qendër, sugjerimeve për në familje dhe në komunitet të cilat mbështesin zhvillimin e tyre të shëndetshëm dhe pozitiv.

Në të gjitha ndërhyrjet dhe aktivitetet, merren parasysh nevojat individuale dhe situatat specifike të fëmijëve, veçanërisht të atyre që përballen me rrethana të veçanta ose faktorë vulnerabiliteti brenda komuniteteve të tyre, me qëllim garantimin e mbrojtjes, përfshirjes dhe mirëqenies së tyre.

Të gjitha raportimet dhe shqetësimet që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e një fëmije do të trajtohen me seriozitet të plotë

Kur është e nevojshme, do të ndërmerren masa të menjëhershme dhe të përshtatshme për mbrojtjen e fëmijës dhe për marrjen e veprimeve ndaj autorit të dyshuar të shkeljes. Këto masa mund të përfshijnë referimin e rastit tek organet e zbatimit të ligjit dhe strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.

Në rastet kur pretendimet ose dyshimet lidhen me anëtarë të stafit, vullnetarë, partnerë ose bashkëpunëtorë të organizatës, masat e marra mund të përfshijnë edhe pezullimin e përkohshëm ose ndërprerjen e marrëdhënies së punës, angazhimit vullnetar apo çdo forme tjetër bashkëpunimi.

DSA reagon ndaj çdo rasti të dhunës, abuzimit, neglizhimit ose shfrytëzimit të fëmijëve, pavarësisht nëse ai është i dyshuar, i tentuar apo i kryer. Çdo rast trajtohet në përputhje me natyrën dhe rrethanat e tij, me kujdes, profesionalizëm dhe duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e informacionit për të gjitha palët e përfshira, veçanërisht për fëmijën.

Konfidencialiteti

DSA është e angazhuar të ruajë konfidencialitetin gjatë trajtimit dhe shkëmbimit të informacioneve sensitive që lidhen me incidentet dhe raportimet në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

Informacioni që mund të identifikojë individë do të ndahet vetëm kur kjo është e nevojshme dhe duke marrë në konsideratë të plotë sigurinë dhe interesin më të lartë të fëmijës, të dëshmitarëve ose të personit ndaj të cilit është paraqitur ankesa, si dhe për të mbrojtur integritetin e procesit të hetimit ose verifikimit të rastit.

Çdo informacion do të trajtohet me kujdes, profesionalizëm dhe në përputhje me kërkesat ligjore dhe etike për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të të drejtave.

Angazhimi për praktika të mira

Ne promovojmë ndërgjegjësimin dhe ndikojmë tek të tjerët për rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve, duke përdorur politikën dhe procedurat tona si një mjet për të dëshmuar angazhimin tonë dhe për të shpjeguar vlerat që udhëheqin punën tonë.

Ne do ta ndajmë këtë politikë dhe procedurat përkatëse me palët e interesuara dhe do të jemi të hapur ndaj komenteve, sugjerimeve dhe vlerësimeve lidhur me zbatimin dhe përshtatshmërinë e saj.

Nuk ekziston një mënyrë e vetme për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve dhe promovimin e të drejtave të tyre. Masat dhe zgjidhjet për mbrojtjen e fëmijëve duhet të jenë në përputhje me kulturën, kontekstin e veprimit dhe natyrën e aktiviteteve që zhvillohen.

Kurdoherë që është e mundur, mendimet dhe pikëpamjet e fëmijëve mblidhen dhe merren në konsideratë për të orientuar hartimin, zbatimin dhe rishikimin e kësaj Politike të Mbrojtjes së Fëmijëve.

Në çdo rast, kjo politikë duhet të jetë një instrument i njohur, i kuptueshëm dhe i aksesueshëm për vetë fëmijët, në mënyrë që ata të jenë të informuar për të drejtat e tyre, mekanizmat e mbrojtjes dhe mënyrat e raportimit të shqetësimeve apo rasteve të mundshme të abuzimit.

Politika

DSA ka përshtatur këtë politikë si një deklaratë të angazhimit të saj për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve që janë në shërbim me organizatën. Kjo politikë synohet të përdoret, në nivel të brendshëm, për qëllime komunikimi, orientimi dhe trajnimi, si dhe, në nivel të jashtëm, për informim, prezantim dhe shpërndarje publike.

Politika e mbrojtjes së fëmijëve DSA-s synon të:

  • sigurojë që organizata të përmbushë përgjegjësitë e saj në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve dhe të reagojë në mënyrë të përshtatshme ndaj çdo shqetësimi ose dyshimi për cenimin e sigurisë dhe mirëqenies së tyre;
  • ofrojë udhëzime për punonjësit, vullnetarët dhe bashkëpunëtorët e tjerë, si dhe të përcaktojë qartë pritshmëritë në lidhje me parandalimin, identifikimin, raportimin dhe reagimin ndaj rasteve të abuzimit, neglizhimit, shfrytëzimit ose çdo forme tjetër dëmtimi;
  • zvogëlojë rrezikun e dëmtimit dhe abuzimit përmes proceseve të sigurta dhe të përgjegjshme të rekrutimit, përzgjedhjes dhe angazhimit të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve;
  • sigurojë që procedurat për mbrojtjen e fëmijëve dhe raportimin e shqetësimeve lidhur me mirëqenien e tyre të ndiqen dhe të zbatohen në mënyrë korrekte, përfshirë referimin e rasteve tek autoritetet kompetente kur është e nevojshme;
  • reduktojë rrezikun e dëmtimit dhe abuzimit duke promovuar një kulturë organizative të hapur, transparente, të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme ndaj çështjeve të mbrojtjes së fëmijëve;
  • promovojë praktika të mira profesionale, duke siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e përshtatshme të fëmijëve gjatë kohës që ata janë nën kujdesin ose në kontakt me DSA-në, si dhe duke u mundësuar stafit dhe bashkëpunëtorëve të reagojnë me kompetencë, siguri dhe profesionalizëm ndaj çështjeve që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve.

Politika e mbrojtjes së fëmijëve pranë DSA-s përcakton se:

  • DSA angazhohet të promovojë dhe mbrojë të drejtat e fëmijëve në të gjitha projektet, programet dhe aktivitetet e saj, duke e konsideruar parandalimin dhe luftimin e abuzimit, neglizhimit, shfrytëzimit dhe çdo forme tjetër dëmtimi si një prioritet thelbësor;
  • të gjithë punonjësit, vullnetarët dhe personat e tjerë të angazhuar nga DSA kanë njohuri të qarta për rolet dhe përgjegjësitë e tyre në parandalimin e abuzimit, neglizhimit, shfrytëzimit dhe dëmtimit të fëmijëve;
  • të gjithë punonjësit, vullnetarët dhe bashkëpunëtorët e DSA-s janë të informuar qartë për procedurat e pranimit, trajtimit, reagimit dhe raportimit të çdo shqetësimi, dyshimi ose pretendimi për abuzim, neglizhim, shfrytëzim apo cenim të sigurisë së fëmijëve.

Zbatimi i politikës dhe procedurat

Parandalimi është themeli i mbrojtjes dhe sigurisë së fëmijëve. DSA angazhohet të parandalojë çdo formë dëmtimi, abuzimi, neglizhimi ose shfrytëzimi të fëmijëve përmes zbatimit të masave dhe procedurave të përshtatshme në fushat e mëposhtme:

1. Vlerësimi dhe menaxhimi i rrezikut

DSA angazhohet të zbatojë një qasje sistematike për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut, me qëllim promovimin e mirëqenies dhe sigurisë së të gjithë fëmijëve, familjeve, stafit, të të kontraktuarve, programeve, operacioneve dhe vizitorëve të saj, përmes identifikimit dhe menaxhimit të rreziqeve kryesore.

Qëllimi i këtij procesi gjithëpërfshirës të vlerësimit dhe menaxhimit të rrezikut është të sigurojë që të kryhen vlerësime të përshtatshme dhe të mjaftueshme për të gjitha aktivitetet ku ekziston mundësia e një rreziku të konsiderueshëm. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet fushave kryesore të rrezikut, si programet e organizatës që lidhen me fëmijët dhe shërbimet që ofrohen për ta.

Vlerësimi i rrezikut do të marrë në konsideratë elementet e mëposhtme:

a) Rreziqet potenciale (Hazards) – identifikimi i çdo faktori, situate ose veprimi që ka potencialin të shkaktojë dëm;

b) Rreziku (Risk) – vlerësimi i mundësisë që një ose më shumë rreziqe potenciale të shkaktojnë dëm;

c) Niveli i rrezikut (Risk Rating) – vlerësimi i shkallës së seriozitetit të pasojave që mund të shkaktojë një ngjarje ose situatë e caktuar;

d) Masat e kontrollit (Control Measures) – identifikimi i masave fizike, organizative dhe procedurale që mund të zbatohen për të parandaluar ose reduktuar rrezikun.

Duke pasur parasysh sa më sipër, procesi i vlerësimit të rrezikut do të përbëhet nga gjashtë hapa kryesorë:

a) Çfarë mund të shkojë keq?

b) Kush mund të dëmtohet?

c) Sa e mundshme është që të ndodhë?

d) Sa serioze do të ishin pasojat nëse ndodh?

e) Çfarë masash do të merren për të parandaluar që kjo të ndodhë?

f) Si do të monitorohet dhe verifikohet efektiviteti i masave të planifikuara?

Ky proces duhet të dokumentohet përmes plotësimit dhe regjistrimit të formularit të vlerësimit të rrezikut (modeli i të cilit paraqitet në Shtojcën 1), nga punonjësi përgjegjës për organizimin e aktivitetit.

Formulari i vlerësimit të rrezikut duhet t’i paraqitet për shqyrtim dhe miratim personit përgjegjës (Focal Point) për zbatimin e kësaj Politike të Mbrojtjes së Fëmijëve.

2. Rekrutimi i sigurt për fëmijët (Child-Safe Recruitment)

DSA pranon se krijimi i mjediseve të sigurta për fëmijët fillon me përzgjedhjen dhe emërimin e stafit të kualifikuar, të aftë profesionalisht dhe të verifikuar, i cili zotëron kompetencat, aftësitë dhe integritetin e nevojshëm për të ushtruar funksionet e tij në mënyrë efektive, efikase dhe të sigurt.

Proceset e rekrutimit të zbatuara nga DSA synojnë të jenë gjithmonë në interesin më të lartë të fëmijëve dhe pasqyrojnë angazhimin e organizatës për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e çdo forme abuzimi, neglizhimi ose shfrytëzimi.

Rekrutimi i stafit

Përveç procedurave standarde të rekrutimit të DSA-s, zbatohen edhe masat e mëposhtme të mbrojtjes së fëmijëve:

  • Njoftimet për vende pune dhe dokumentacioni i aplikimit duhet të specifikojnë se procesi i rekrutimit zhvillohet në përputhje me parimet dhe praktikat e rekrutimit të sigurt për fëmijët.
  • Për çdo pozicion hartohen përshkrime të qarta të detyrave dhe roleve, me referenca të drejtpërdrejta ndaj përgjegjësive për mbrojtjen e fëmijëve dhe me specifikim të kompetencave të nevojshme në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.
  • Përzgjedhja paraprake e kandidatëve realizohet përmes një procesi formal aplikimi, bazuar në kriteret e përcaktuara sipas kërkesave të pozicionit, kualifikimeve të nevojshme dhe parimeve të Politikës së Mbrojtjes së Fëmijëve.
  • Intervistat zhvillohen në përputhje me parimet e mundësive të barabarta dhe pyetjet e intervistës bazohen në përshkrimin e pozicionit dhe profilin e kërkuar të kandidatit.
  • Ofertat formale të punës bëhen vetëm pas kryerjes së verifikimeve të nevojshme për përshtatshmërinë e kandidatit, në përputhje me këtë Politikë dhe kërkesat e pozicionit. Për këtë qëllim, mund të kërkohen dokumente ose informacione që lidhen me arsimin, kualifikimet, shëndetin ose të dhëna të tjera të nevojshme, vetëm nëse ato janë domosdoshmërisht të lidhura me funksionin e pozicionit. Përdorimi i tyre do të kufizohet vetëm për qëllimin për të cilin janë mbledhur dhe do të respektojë legjislacionin për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
  • Në raste të veçanta kandidatëve mund t’ju kërkohet gjithashtu të paraqesin emrat dhe kontaktet e dy referuesve, të cilët do të ftohen të japin referenca profesionale, përfshirë vlerësimin e tyre mbi përshtatshmërinë e kandidatit për të punuar ose për të qenë në kontakt me fëmijët. DSA rezervon të drejtën të kontaktojë edhe punëdhënës të mëparshëm të kandidatit.
  • Kandidatit të suksesshëm do t’i ofrohet pozicioni vetëm nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:
    • dokumentacion që vërteton kualifikimet e deklaruara;
    • përfundimi me sukses i procedurave të verifikimit dhe kontrollit;
    • dokumente të vlefshme identifikimi që konfirmojnë identitetin e tij/saj.

Përzgjedhja e konsulentëve dhe kontraktorëve që punojnë me fëmijë

Të gjithë konsulentët, ekspertët ose kontraktorët e tjerë që identifikohen si persona që do të punojnë ose do të kenë kontakt me fëmijë, do t’i nënshtrohen procedurave përkatëse të verifikimit, të cilat mund të përfshijnë kontrollin e precedentëve penalë, në përputhje me legjislacionin vendas.

3. Vullnetarët dhe vizitorët

Ky seksion trajton në mënyrë specifike çështjet që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve në kontekstin e mbështetjes së rastësishme vullnetare për aktivitetet e DSA-s, si dhe të vizitorëve që frekuentojnë programet dhe ambientet e organizatës.

  • Vizitorët zyrtarë mund të vizitojnë projektet ose aktivitetet e DSA-s vetëm me autorizimin dhe miratimin paraprak të organizatës.
  • Të gjithë vizitorët duhet të paraqiten pranë personit përgjegjës pas mbërritjes dhe të regjistrohen duke nënshkruar Deklaratën e Vizitorit.
  • Është përgjegjësi e punonjësit pritës të sigurojë që vizitorët dhe vullnetarët të informohen në mënyrë të përshtatshme për rregullat e organizatës dhe të mbikëqyren gjatë gjithë kohës së aktivitetit ose vizitës.
  • Të gjithë vullnetarët e rastësishëm dhe vizitorët duhet të shoqërohen në çdo moment nga një anëtar i stafit ose person i autorizuar. Në asnjë rrethanë ata nuk duhet të lihen vetëm ose pa mbikëqyrje me fëmijët.
  • Të gjithë punonjësit dhe vullnetarët e rregullt do të duhet të paraqesin dokumentacionin dhe provat e kërkuara sipas pikës 2 “Rekrutimi i sigurt për fëmijët”. Kjo masë synon të garantojë që persona të papërshtatshëm të mos kenë mundësi të punojnë ose të jenë në kontakt me fëmijët.

Rekrutimi i vullnetarëve

Në rastet kur përgjegjësitë e dakordësuara të vullnetarit përfshijnë kontakt të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me fëmijët, procesi i rekrutimit dhe përzgjedhjes do të ndjekë të njëjtat standarde dhe procedura që zbatohen për punësimin e stafit të përhershëm ose angazhimin e konsulentëve.

Nëse një vullnetar ose vizitor refuzon të angazhohet me shkrim për respektimin e kësaj Politike të Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të Kodit të Detyrueshëm të Sjelljes, ose nëse nuk respekton detyrimet e marra nëpërmjet deklaratës së nënshkruar, angazhimi i tij si vullnetar do të ndërpritet dhe/ose vizita e tij do të përfundojë menjëherë.

4. Kodi i sjelljes

Të gjithë personat që mbulohen nga kjo politikë angazhohen të respektojnë, promovojnë, mbështesin dhe mbrojnë në çdo kohë të drejtat e fëmijës, ashtu siç përcaktohen në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës.

Standardet e sjelljes të përcaktuara në këtë kod janë të detyrueshme për të gjithë personat që mbulohen nga kjo politikë në marrëdhëniet dhe sjelljen e tyre ndaj fëmijëve. Respektimi i këtyre standardeve do të interpretohet në përputhje me parimet dhe dispozitat e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës.

Çdo person që konstatohet se ka shkelur këtë Kod të Sjelljes do t’i nënshtrohet masave disiplinore përkatëse, të cilat mund të përfshijnë deri në ndërprerjen e marrëdhënies së punës, angazhimit vullnetar apo çdo forme tjetër bashkëpunimi me organizatën.

Standardet e sjelljes

  • Të trajtojë gjithmonë fëmijët me respekt, pavarësisht gjinisë, origjinës etnike ose sociale, gjuhës, besimit fetar apo bindjeve të tjera, aftësisë së kufizuar, orientimit seksual, identitetit gjinor ose çdo statusi tjetër.
  • Të përdorë ndaj fëmijëve gjuhë dhe sjellje të përshtatshme në çdo kohë dhe të shmangë çdo formë komunikimi ose veprimi që mund të jetë ngacmues, abuziv, seksualisht provokues, poshtërues ose degradues.
  • Kurdoherë që është e mundur, të sigurojë praninë e një të rrituri tjetër kur fëmijët janë të pozicionuar në ambiente private të pamonitoruara me kamera, përveç rasteve kur janë marrë paraprakisht masat dhe garancitë e nevojshme mbrojtëse.
  • Ndalohet përdorimi i papërshtatshëm i kompjuterëve, telefonave celularë, kamerave fotografike ose video, si dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike, përfshirë aksesimin, shikimin, krijimin, shkarkimin ose shpërndarjen e materialeve që paraqesin abuzim seksual ndaj fëmijëve.
  • Ndalohet çdo formë ndëshkimi fizik, disipline fizike ose përdorimi i forcës fizike të papërshtatshme ndaj fëmijëve.
  • Ndalohet përdorimi i fëmijëve për punë shtëpiake ose forma të tjera pune kur:
    • nuk janë të përshtatshme për moshën ose nivelin e zhvillimit të fëmijës;
    • pengojnë pjesëmarrjen e tij në arsimim ose aktivitete rekreative;
    • e ekspozojnë fëmijën ndaj rrezikut të dëmtimit, shfrytëzimit ose abuzimit.
  • Të raportojë menjëherë çdo shqetësim, dyshim, incident ose pretendim për abuzim real apo të mundshëm ndaj fëmijëve, si dhe çdo shkelje të kësaj politike, në përputhje me procedurat përkatëse dhe pranë Personit të Përcaktuar Përgjegjës, i cili është përgjegjës për pranimin dhe trajtimin e këtyre raportimeve.
  • Personi që bën një raportim në mirëbesim nuk do t’i nënshtrohet asnjë forme hakmarrjeje, diskriminimi ose pasoje negative. Raportimet mund të bëhen edhe në mënyrë anonime, megjithëse kjo mund të kufizojë mundësinë e hetimit të plotë të pretendimeve.
  • Ndalohet çdo aktivitet ose marrëdhënie seksuale me fëmijë, pavarësisht moshës ligjore të pëlqimit ose moshës madhore të përcaktuar nga legjislacioni vendas. Pretendimi se mosha e fëmijës është vlerësuar gabimisht nuk përbën justifikim apo mbrojtje.
  • Shfrytëzimi dhe abuzimi seksual nga punonjësit, vullnetarët ose përfaqësuesit e organizatës konsiderohen shkelje të rënda disiplinore dhe përbëjnë bazë për ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënies së punës ose angazhimit.
  • Ndalohet shkëmbimi i parave, punësimit, mallrave, shërbimeve ose çdo përfitimi tjetër në këmbim të marrëdhënieve seksuale, favoreve seksuale ose sjelljeve poshtëruese, degraduese apo shfrytëzuese. Kjo përfshin edhe ndihmën ose shërbimet që përfituesit kanë të drejtë t’i marrin.
  • Ndalohet çdo marrëdhënie seksuale ndërmjet personave që ofrojnë ndihmë ose mbrojtje dhe personave që përfitojnë nga kjo ndihmë, kur kjo marrëdhënie përfshin përdorim të papërshtatshëm të pozitës, autoritetit ose ndikimit. Marrëdhënie të tilla cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e punës humanitare dhe sociale.
  • Punonjësit, vullnetarët dhe përfaqësuesit e organizatës kanë detyrimin të krijojnë dhe të ruajnë një mjedis që parandalon shfrytëzimin dhe abuzimin seksual dhe që promovon zbatimin e këtij Kodi të Sjelljes. Drejtuesit dhe menaxherët në të gjitha nivelet kanë përgjegjësi të veçantë për të mbështetur dhe zhvilluar sisteme dhe mekanizma që garantojnë ruajtjen e këtij mjedisi të sigurt.
  • Sjellja personale jashtë orarit të punës ose jashtë aktiviteteve të DSA-s, kur bie ndesh me parimet dhe kërkesat e kësaj politike, mund të konsiderohet shkelje e saj. Punonjësit e DSA-s janë të detyruar të respektojnë parimet e Politikës së Mbrojtjes së Fëmijëve si gjatë ushtrimit të detyrës ashtu edhe jashtë saj. Në vlerësimin e rasteve konkrete do të zbatohet parimi i arsyeshmërisë dhe proporcionalitetit, duke respektuar edhe jetën private të individit.

5. Edukimi, trajnimi dhe mbështetja

Ndërgjegjësimi dhe trajnimi

DSA e kupton se, për të siguruar që kjo politikë të kuptohet plotësisht dhe të zbatohet në mënyrë efektive, është thelbësore që të ekzistojë një nivel i lartë ndërgjegjësimi dhe njohurish mbi përmbajtjen e saj, si dhe që stafi, vullnetarët dhe bashkëpunëtorët e tjerë të jenë të qartë, të sigurt dhe kompetentë në zbatimin praktik të saj.

Për këtë arsye, DSA angazhohet që:

  • Të shpërndajë dhe promovojë Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve përmes formave të ndryshme të komunikimit, si faqja zyrtare e internetit, kopjet fizike të dokumentit, materialet informuese dhe komunikimi verbal. Kopje të politikës do të jenë të disponueshme dhe të aksesueshme për të gjitha palët e interesuara, si në format fizik ashtu edhe elektronik.
  • Të organizojë sesione informuese të rregullta në kuadër të zbatimit të politikës. Këto sesione, ose pjesë të tyre, do të përfshihen gjithashtu në procesin standard të orientimit për të gjithë punonjësit e rinj.
  • Të sigurojë që sesioni informues mbi Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve të jetë i detyrueshëm dhe të zhvillohet të paktën një herë në vit.
  • Të garantojë që punonjësit e saporekrutuar të marrin sesione orientuese mbi politikën pas fillimit të punësimit. Drejtuesi i Programit do të përcaktojë afatin e pjesëmarrjes në sesion, në varësi të rolit dhe përgjegjësive të punonjësit brenda organizatës. Në çdo rast, sesioni duhet të zhvillohet brenda tre (3) muajve nga fillimi i marrëdhënies së punës ose përpara përfundimit të periudhës së provës.
  • Të ofrojë mundësi për sesione përditësuese dhe sesione rifreskuese në mënyrë periodike, me qëllim që politika të mbetet pjesë integrale e kulturës organizative dhe që stafi të informohet vazhdimisht mbi ndryshimet, zhvillimet dhe përmirësimet që lidhen me përmbajtjen dhe zbatimin e saj.
  • Të sigurojë sesione shtesë dhe më të specializuara për personat që mbajnë përgjegjësi të veçanta në kuadër të kësaj politike. Këto përfshijnë, ndër të tjera, personat që punojnë drejtpërdrejt me fëmijët dhe Personin e Përcaktuar Përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve.
  • Të garantojë që sesionet e ofruara për menaxherët dhe personat e ngarkuar me pranimin, trajtimin dhe reagimin ndaj ankesave ose incidenteve të mbrojtjes së fëmijëve, t’i pajisin ata me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të dhënë përgjigje efektive, profesionale dhe të përshtatshme ndaj rasteve të raportuara.
  • T’u ofrojë punonjësve, vullnetarëve dhe bashkëpunëtorëve akses në materiale, udhëzues dhe burime mbështetëse që kontribuojnë në kuptimin, zbatimin dhe respektimin e Politikës së Mbrojtjes së Fëmijëve.

6. Komunikimi i sigurt për fëmijët

Përdorimi publik i imazheve dhe historive të fëmijëve mund të paraqesë rreziqe të mundshme që lidhen me mbrojtjen e tyre. Për këtë arsye, është thelbësore që, gjatë përdorimit të imazheve dhe historive të fëmijëve, të udhëhiqemi gjithmonë nga interesi më i lartë i fëmijës.

Kjo nënkupton respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të tyre, përfshirë të drejtën për privatësi dhe të drejtën për t’u dëgjuar. Pëlqimi duhet të merret gjithmonë përpara fotografimit, filmimit ose përdorimit të imazheve të fëmijëve.

Stafi i DSA-s duhet të sigurojë që:

  • çdo fotografi, video ose imazh i realizuar nga stafi të jetë marrë vetëm pasi është siguruar pëlqimi me shkrim ose verbal i prindit, kujdestarit ligjor ose personit përgjegjës për kujdesin ndaj tij;
  • imazhet, historitë ose materialet e publikuara të mos zbulojnë identitetin ose vendndodhjen e fëmijës;
  • të tregohet kujdes i veçantë për ruajtjen e anonimatit dhe identitetit të fëmijëve në situata vulnerabël ose me nevoja të veçanta mbrojtjeje;
  • fotografitë ose imazhet e fëmijëve të realizuara gjatë vizitave në terren, aktiviteteve apo programeve të organizatës të mos publikohen ose shpërndahen në llogaritë personale të rrjeteve sociale të punonjësve të DSA-s.

Në çdo rast, përdorimi i fotografive, videove, historive personale dhe çdo materiali tjetër që lidhet me fëmijët duhet të bëhet në mënyrë etike, dinjitoze dhe të sigurt, duke shmangur çdo formë stigmatizimi, diskriminimi, ekspozimi të panevojshëm ose cenimi të të drejtave të tyre.

Rreziqet e imazhit

Përdorimi publik i imazheve dhe historive të fëmijëve paraqet rreziqe të mundshme lidhur me mbrojtjen:

  • Imazhet që përmbajnë informacione personale mund të përdoren për identifikimin e fëmijëve, për t’i kontaktuar nga distanca ose për t’i gjurmuar deri në vendbanimin e tyre.
  • Imazhet mund të ndryshohen ose përshtaten për përdorim të papërshtatshëm.
  • Shfaqja dhe përdorimi i imazheve ose historive të papërshtatshme, ose atyre për të cilat nuk është marrë pëlqimi, është joetike dhe mund të sjellë rreziqe për organizatën, si dëmtim i reputacionit.

Rregulla për informacionin personal

Informacioni personal për një fëmijë (si emri i plotë dhe data e lindjes ose emrat e plotë të familjarëve) dhe informacioni që mund të përdoret për të identifikuar vendndodhjen e tij/saj (si emri i qytetit/ fshatit, komunitetit, shkollës etj.) nuk duhet të përdoret, veçanërisht kur shoqërohet me imazhe.

Informacioni maksimal i lejuar për një fëmijë duhet të jetë vetëm emri dhe emri i zonës/rajonit ku jeton.

1. Fëmijët në situata të ndjeshme

Fëmijët që kanë përjetuar dhunë, shfrytëzim, abuzim ose janë në rrezik të veçantë nuk duhet të paraqiten në mënyrë që mund të çojë në identifikimin e tyre.

  • Emrat e vërtetë duhet të ndryshohen dhe ky ndryshim duhet të shënohet.
  • Të dhënat e tjera identifikuese gjithashtu duhet të ndryshohen.

2. Dinjiteti dhe privatësia

Imazhet e fëmijëve në gjendje zhveshjeje nuk duhet të paraqiten në poza që mund të interpretohen si sugjestive seksuale ose që cenojnë dinjitetin dhe privatësinë e tyre.

3. Ruajtja e të dhënave

Të gjitha imazhet dhe historitë, së bashku me të dhënat shoqëruese, duhet të përdoren dhe ruhen në përputhje me ligjet për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë.

Rekomandohet që:

  • imazhet të ruhen në mënyrë të sigurt (p.sh. në kasafortë/dollap me çelës, dosje elektronike me fjalëkalim, akses i kufizuar etj.);
  • imazhet të shkatërrohen dy vite pas datës së pëlqimit, përveç nëse merret pëlqim i ri.

4. Pëlqimi

Pëlqimi i informuar, verbal i fëmijës dhe prindit/kujdestarit duhet të merret gjithmonë para se një fotografi të bëhet dhe përdoret.

  • Duhet të shpjegohet qartë përdorimi i synuar i imazheve dhe rreziqet e mundshme, veçanërisht në rastet kur publikohen online.
  • Duhet të përdoren formularë të përshtatshëm për fëmijët.
  • Kur është e mundur, fëmija dhe familja duhet ta shohin imazhin para publikimit.

5. Fotografitë në grup

Si në rastin e fotografive individuale, duhet të shpjegohet përdorimi i fotove dhe të merret pëlqimi i çdo individi në grup.

Personat që nuk dëshirojnë të përfshihen duhet të kenë mundësinë të përjashtohen.

6. Fotografitë e përgjithshme

Kur përdoren imazhe në turma ose ngjarje publike ku është e vështirë të merret pëlqimi individual, duhet të merret parasysh:

  • A pritet që fëmijët të jenë të fotografuar në këtë event?
  • A e konsiderojnë veten në një vend publik pa pritshmëri privatësie?
  • A është e pamundur që dikush të kundërshtojë marrjen e fotos?

Kur fotografitë merren në evente të planifikuara, pjesëmarrësit duhet të informohen paraprakisht dhe t’u jepet mundësia të mos përfshihen në fotografi.

7. Hartimi dhe zbatimi i programeve terapeutike

Programet dhe të gjitha llojet e ndërhyrjeve, në të gjitha sektorët e veprimit dhe jo vetëm ato që lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e fëmijëve, duhet të integrojnë parimet e mbrojtjes së fëmijëve në çdo fazë të planifikimit dhe zbatimit të tyre. Mbrojtja e fëmijëve nuk duhet të konsiderohet si një aktivitet i veçantë, por si një parim ndërsektorial që përshkon të gjithë punën e organizatës.

  • Mbrojtja e fëmijëve duhet të merret në konsideratë në çdo fazë të hartimit të projekteve dhe programeve, si dhe të rishikohet rregullisht gjatë monitorimit dhe vlerësimit të zbatimit të tyre.
  • Përveç integrimit të mbrojtjes së fëmijëve në projektim, gjatë organizimit të aktiviteteve specifike, rezidenciale ose jorezidenciale, si konsultimet me fëmijët, kampet verore, aktivitetet rekreative apo iniciativa të ngjashme, duhet të kryhet një vlerësim i rrezikut për të identifikuar rreziqet e mundshme dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për minimizimin e tyre.
  • Kur është e nevojshme, stafi, vullnetarët, partnerët, fëmijët dhe komunitetet duhet të marrin udhëzime shtesë për të garantuar që parimet dhe objektivat e Politikës së Mbrojtjes së Fëmijëve të zbatohen plotësisht në kuadër të aktiviteteve ose programeve specifike. Këto udhëzime mund të fokusohen në identifikimin e rreziqeve të veçanta ose në masat mbrojtëse që duhet të respektohen.
  • Përpara zhvillimit të aktiviteteve, duhet të merret pëlqimi me shkrim nga prindërit ose kujdestarët ligjorë, si dhe nga vetë individi sipas moshës dhe nivelit të kuptimit të tyre. Për këtë qëllim përdoret Formulari i Pëlqimit Prindëror (shih Shtojcën 3). Në rastet kur prindërit ose fëmijët nuk dinë të lexojnë ose të shkruajnë, formulari mund të nënshkruhet në praninë e tyre nga një punonjës ose vullnetar i autorizuar, pasi përmbajtja e tij t’u jetë shpjeguar dhe diskutuar në mënyrë të kuptueshme.
  • Punonjësit dhe vullnetarët që punojnë me fëmijë duhet të mbikëqyren rregullisht dhe të kenë mundësi të marrin pjesë në diskutime dhe reflektime profesionale mbi çështjet e mbrojtjes së fëmijëve, përmes takimeve, diskutimeve informale, analizës së rasteve praktike ose formave të tjera të shkëmbimit profesional.
  • Çështjet që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve duhet të rishikohen rregullisht gjatë zbatimit të aktiviteteve dhe në përfundim të tyre, me qëllim identifikimin e mësimeve të nxjerra, përmirësimin e praktikave dhe kryerjen e përshtatjeve të nevojshme gjatë zbatimit të programeve. Për shembull, gjatë një programi me aktivitete verore, do të ishte e dobishme që në fund të çdo dite të zhvillohej një diskutim mbi aspektet e mbrojtjes së fëmijëve gjatë takimeve të reflektimit dhe vlerësimit të aktivitetit.

8. Raportimi dhe reagimi ndaj shqetësimeve për mbrojtjen e fëmijëve

DSA angazhohet të reagojë ndaj të gjitha raportimeve ose sinjaleve, përfshirë edhe thashethemet, që sugjerojnë se një fëmijë mund të jetë i dëmtuar ose në rrezik dëmtimi. Siguria e fëmijëve duhet të jetë gjithmonë shqetësimi kryesor dhe i pandryshueshëm.

Personi Përgjegjës për Mbrojtjen e Fëmijëve është përgjegjës për sigurimin që procedurat e raportimit të përshkruara më poshtë të ndiqen në mënyrë të saktë, në mënyrë që rastet e dyshuara të abuzimit dhe/ose shkeljet e Politikës së Mbrojtjes së Fëmijëve nga stafi i DSA-s të trajtohen në mënyrë të përshtatshme dhe të referohen menjëherë tek autoritetet përkatëse, kur është e nevojshme.

Personi përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve

Personi Përgjegjës për Mbrojtjen e Fëmijëve është pika qendrore për raportimin dhe referimin e shqetësimeve që lidhen me çështjet e mbrojtjes së fëmijëve, si dhe për koordinimin e ndërhyrjeve dhe ndjekjen e rasteve.

Për qëllimet e këtyre procedurave, funksionet e PO-së do të kryhen nga menaxheri i tij. Megjithatë, në rastet kur PO nuk është në gjendje të reagojë brenda afateve të përcaktuara, veprimet duhet të ndërmerren nga personi i përkohshëm i caktuar për këtë rol. Çdo emërim i përkohshëm bëhet nga Drejtori Ekzekutiv dhe i komunikohet të gjithë stafit. Roli i PO-së i delegohet vetëm një punonjësi që ka njohuritë, aftësitë dhe trajnimin e nevojshëm për ta ushtruar këtë funksion. Emërimi formal i tij/saj konfirmohet gjithashtu nga Drejtori Ekzekutiv.

Përgjegjësitë e Personit Përgjegjës (PO)

PO është përgjegjës për:

  • Sigurimin e një regjistrimi me shkrim të çdo referimi formal dhe dërgimin e tij tek Drejtori Ekzekutiv brenda 24 orëve. Një linjë e qartë raportimi midis PO-së dhe Drejtorit Ekzekutiv siguron që të gjitha vendimet të merren në konsultim dhe me dijeninë e personave përgjegjës për organizatën.
  • Hapi i parë në çdo incident të raportuar është garantimi i sigurisë së fëmijës ose fëmijëve të përfshirë.
  • Të gjitha raportimet dhe shqetësimet duhet të dokumentohen duke përdorur formularin përkatës (Shtojca 4).
  • Sigurimin që të gjitha shënimet dhe dokumentimet mbi shqetësimet e lidhura me fëmijët të ruhen edhe në rastet kur nuk kërkohet referim i menjëhershëm.
  • Sigurimin që këto të dhëna të ruhen në mënyrë konfidenciale dhe të sigurt, të ndara nga dosjet e rastit, me një faqe hyrëse që përmban datat dhe shënime të shkurtra për të krijuar një kronologji të qartë të ngjarjeve.
  • Sigurimin që në dosjet përkatëse të rasteve të bëhet shënim për ekzistencën e dokumentacionit të lidhur me mbrojtjen e fëmijëve.
  • Zbatimin e masave disiplinore që rrjedhin nga shkelja e kësaj politike në mënyrë proporcionale dhe të justifikueshme, në varësi të natyrës së shkeljes. Çdo rast do të vlerësohet individualisht përpara se të vendosen masa përkatëse.
  • Sigurimin që mekanizmat e raportimit dhe rrugët e referimit të jenë të njohura gjerësisht dhe lehtësisht të aksesueshme.
  • Të veprojë si pikë kontakti për stafin për të diskutuar shqetësimet dhe për të bashkëpunuar me agjenci dhe profesionistë të tjerë.
  • Të marrë pjesë në konferenca për mbrojtjen e fëmijëve ose të delegojë këtë detyrë tek një anëtar tjetër i stafit të informuar dhe të trajnuar në mënyrë të përshtatshme.
  • Të përditësojë vazhdimisht njohuritë e tij/saj për të përmbushur rolin, përfshirë pjesëmarrjen në trajnime përkatëse.
  • Të ofrojë këshilla dhe udhëzime për kolegët, të marrë pjesë në takime ndërinstitucionale (ose të mbështesë stafin tjetër në këto takime) dhe të kontribuojë në vlerësime profesionale të rasteve.

Procedurat e raportimit dhe referimit

Çfarë duhet të bëni nëse keni shqetësime për sigurinë e një fëmije:

  • Ju afrohet një fëmijë dhe ju tregon se ai/ajo është, ose ka qenë i/e dëmtuar, abuzuar ose i/e neglizhuar;
  • Ju informoheni për një deklarim të tillë nga një punonjës i stafit, një vullnetar ose persona të tjerë;
  • Ju keni shqetësim se një fëmijë është, ose mund të jetë i ekspozuar ndaj abuzimit ose lëndimit.
  • Bëni një shënim të shkruar të informacionit/vëzhgimit dhe përfshini një regjistër të kohës, datës dhe personave të pranishëm si më poshtë:
  • Kërkesë e përgjithshme (si të mbrohen fëmijët) – Përgjigje brenda 24 orëve;
    Akuza jo specifike/të paqarta (pa emra / karakteristika identifikuese) – Përgjigje brenda 72 orëve
  • Specifike – p.sh. përmenden emra / vende dhe raportim – Vendim fillestar për veprim brenda 48 orëve;
    Sensitive – që përfshijnë staf të DSA, vullnetarë, Bord dhe staf tjetër “të ndjeshëm” – Vendim fillestar për veprim brenda 24 orëve.

Bëni një shënim të shkruar të informacionit/vëzhgimit dhe përfshini një regjistrim të kohës, datës dhe personave të pranishëm.

Informoni menaxherin tuaj të drejtpërdrejtë brenda afatit kohor të përmendur më sipër.

Menaxheri i drejtpërdrejtë do të vlerësojë incidentin dhe/ose do të bëjë një referim te Oficeri i Mbrojtjes.
Kur është e pamundur që PO të përgjigjet brenda afateve të përcaktuara, veprimi duhet të ndërmerret nga personi që është emëruar përkohësisht për të kryer këtë rol.

Nëse menaxheri i drejtpërdrejtë nuk është i disponueshëm, kontaktoni Oficerin e Mbrojtjes.

A ka nevojë fëmija për ndihmë urgjente mjekësore ose policore?

Po – Kontaktoni menjëherë shërbimet e emergjencës. Qëndroni me fëmijën derisa shërbimet e emergjencës të marrin situatën në dorë, kontaktoni PO dhe plotësoni formularin.

Jo – Kontaktoni PO (Oficerin e Mbrojtjes).

Çfarë duhet bërë në rastet e akuzave ndaj një punonjësi ose personave të tjerë:

Jeni të shqetësuar se sjellja e një anëtari të stafit ose e një personi tjetër është kërcënuese, ose potencialisht kërcënuese, për mirëqenien e një fëmije.

Raportoni shqetësimet tuaja menjëherë te Oficeri i Mbrojtjes.
Kur është e përshtatshme, mund të ndërmerren masa zbutëse përkatëse dhe/ose të bëhet një referim te një agjenci e jashtme.

Në të gjitha situatat, ju duhet të jepni një përmbledhje të shqetësimeve tuaja me shkrim. Nëse çështja i referohet agjencive të jashtme ose policisë, mund t’ju kërkohet të jepni një deklaratë formale të shqetësimeve tuaja për hetime të mëvonshme të jashtme.

Në mungesë të personit që ka autoritetin për të marrë vendime, nëse një fëmijë ndodhet në një situatë kërcënuese për jetën, anëtari më i lartë i stafit i disponueshëm ka autoritetin të marrë çdo vendim të nevojshëm për ta mbrojtur fëmijën nga rreziku i menjëhershëm. Çdo vendim i marrë dhe veprim i ndërmarrë duhet t’i raportohet PO-së dhe Drejtorit Ekzekutiv.

Ju lutemi vini re: Nëse keni shqetësime të menjëhershme se një fëmijë është në rrezik të dëmtimit të konsiderueshëm, kontaktoni Oficerin e Mbrojtjes / Drejtorin Ekzekutiv. Nëse mendoni se është kryer një vepër penale, kontaktoni policinë.

Menaxhimi i politikës

1. Rolet dhe përgjegjësitë

Të gjithë stafi (përfshirë stafin e përhershëm, kontraktorët, partnerët dhe vullnetarët) janë të detyruar të zbatojnë parimet dhe udhëzimet e përcaktuara në këtë politikë dhe politikat e lidhura me të. Në mënyrë specifike, stafi, në kuadër të rolit/përshkrimit të tij të punës, pritet:

  • të përdorë procedurat e kërkuara;
  • të promovojë praktika të mira dhe të kontribuojë në diskutime mbi mbrojtjen e fëmijëve;
  • të sigurojë që zëri i përfituesve, fëmijëve, mbrojtja e të cilëve është qëllimi i kësaj politike, të dëgjohet dhe të merret parasysh;
  • të respektojë kufijtë profesionalë dhe kodin profesional të sjelljes të referuar në këtë dokument.

Anëtarët e Bordit të DSA-s, PO dhe Ekipi i Menaxhimit janë gjithashtu të detyruar nga kjo politikë dhe kanë përgjegjësi shtesë:

  • të zbatojnë në mënyrë të duhur këtë politikë dhe të sigurojnë që ajo të jetë e aksesueshme për çdo person të interesuar;
  • të monitorojnë dhe rishikojnë politikën;
  • të sigurojnë që i gjithë stafi të ketë qasje në trajnimin/informacionin e duhur;
  • të sigurojnë që burime të mjaftueshme (kohë dhe financa) të alokohen për të garantuar zbatimin efektiv të politikës.
  • të pranojnë shqetësimet e stafit dhe përfituesve lidhur me mbrojtjen dhe t’u përgjigjen atyre në mënyrë serioze, të shpejtë dhe të përshtatshme;
  • të jenë të përditësuar me marrëveshjet lokale, si dhe të zhvillojnë dhe mbajnë lidhje efektive me agjencitë përkatëse;
  • të kenë përgjegjësinë përfundimtare për zbatimin, monitorimin dhe rishikimin e kësaj politike.

Është përgjegjësi e stafit të jetë vigjilent, të ketë njohuri dhe ndërgjegjësim mbi treguesit e dëmtimit, neglizhencës dhe abuzimit të mundshëm ose aktual, si dhe të raportojë menjëherë çdo shqetësim, dyshim ose akuzë për abuzim, duke siguruar që shqetësimi të merret seriozisht dhe të raportohet.

2. Monitorimi i politikës

  • procedurat e rekrutimit dhe përzgjedhjes do të përditësohen/përmirësohen vazhdimisht;
  • informimi formal dhe rritja e ndërgjegjësimit do t’u drejtohet të gjithë punonjësve dhe të tjerëve;
  • të gjitha pozicionet do të vlerësohen për rrezik sipas nivelit të kontaktit me fëmijët;
  • PO do të jetë përgjegjës për zbatimin e politikës;
  • raportimi i shqetësimeve për abuzim ndaj fëmijëve do të jetë i detyrueshëm për të gjithë punonjësit dhe të tjerët;
  • do të zhvillohen procedura lokale për ngritjen dhe raportimin e shqetësimeve për abuzim ndaj fëmijëve.

3. Komunikimi dhe angazhimi ndaj politikës

DSA do t’i bëjë përfituesit të vetëdijshëm për Politikën e Mbrojtjes, duke përdorur mjete të përshtatshme që janë në përputhje me moshën dhe profilin specifik të secilit përfitues, në mënyrë që të sigurohet që parimet dhe procedurat e kësaj politike të kuptohen në mënyrë adekuate. Në mënyrë indikative, këto mjete mund të jenë:

  • paketa informacioni të lehta për t’u aksesuar dhe gjithëpërfshirëse mbi masat e mbrojtjes, p.sh. përmes broshurave, dokumenteve, informacionit të publikuar në web etj.;
  • diskutim dhe marrëveshje me secilin përfitues mbi masat e mbrojtjes dhe procedurat e shqetësimeve/ankesave.

Çdo person si sponsorët, vullnetarët, kontraktorët, furnizuesit, donatorët, gazetarët, konsulentët, mbështetësit (vizitorë të rastësishëm) që vizitojnë infrastrukturat ose zyrat e DSA-s dhe mund të kenë kontakt dhe/ose ndërveprim me fëmijët:

  • pajisen me një kopje të kësaj politike dhe informohen se duhet të veprojnë në përputhje me të gjatë vizitës në ambientet e DSA-s;
  • deklarojnë me shkrim angazhimin e tyre për të respektuar dhe zbatuar parimet e politikës së mbrojtjes;
  • informohen siç duhet mbi procesin e raportimit dhe raportojnë çdo shqetësim për mirëqenien e një fëmije te PO.

Parandalimi

  • përmes rritjes së ndërgjegjësimit për abuzimin ndaj fëmijëve dhe rreziqet ndaj tyre nëpërmjet zbatimit të kësaj politike;
  • mbrojtjes;
  • minimizimit të rreziqeve ndaj fëmijëve përmes vlerësimit të rrezikut për të gjitha pozicionet ku ka kontakt me fëmijët dhe promovimit të ndërgjegjësimit mbi abuzimin;
  • aplikimit të “praktikave më të mira” në rekrutim dhe përzgjedhje;
  • mbrojtjes dhe mbështetjes së fëmijëve, punonjësve dhe të tjerëve kur ndodhin dyshime, akuza, deklarime ose dëshmim i abuzimit ndaj fëmijëve.

Rehabilitimi dhe integrimi

  • ngritja e shqetësimeve dhe raportimi i dyshimeve, akuzave, deklarimeve dhe dëshmimit të abuzimit ndaj fëmijëve brenda DSA-s dhe, kur është e përshtatshme, tek autoritetet kompetente përkatëse;
  • njohja paraprake e hapave që duhen ndjekur dhe personave që duhen kontaktuar në rast shqetësimesh për mbrojtjen e fëmijëve;
  • mbrojtja dhe mbështetja e fëmijëve, punonjësve dhe të tjerëve që përjetojnë abuzim përmes mbështetjes psikologjike, mjekësore dhe ligjore kur është e nevojshme.

4. Rishikimi i politikës së mbrojtjes

Politika do të rishikohet çdo vit ose në rrethanat e mëposhtme:

  • ndryshime në legjislacion dhe/ose udhëzime qeveritare;
  • si rezultat i ndonjë ndryshimi ose ngjarjeje të rëndësishme.

Çdo vit, DSA do të kryejë një vetëvlerësim të mbrojtjes dhe të zbatimit të Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve. Vlerësimi do të realizohet duke përdorur një format të përcaktuar.

Në bazë të vetëvlerësimit, do të zhvillohet një plan veprimi vjetor për të adresuar çdo mangësi në zbatimin e politikës dhe për të zbutur çdo rrezik të identifikuar.

Shtojcat

Shtojca 1: Modeli i vlerësimit të rrezikut

Cili është rreziku?Kush mund të dëmtohet?Çfarë po bëni tashmë?A duhet të ndërmerrni ndonjë veprim tjetër për të menaxhuar këtë rrezik?Nga kush ndërmerret veprimi?Kur duhet të ndërmerret veprimi?Marrëveshjet e përfunduara për monitorim nga stafi i lartë
       
       
       

Shtojca 2: Deklarata për vizitorët

Unë, ______________________________________, në cilësinë e vizitorit të qendrës / zyrës / komunitetit (p.sh. donator, përkthyes, gazetar ose në çdo rol tjetër vizite), deklaroj se jam i/e vetëdijshëm/me për rëndësinë e ruajtjes së konfidencialitetit të informacionit të marrë gjatë vizitës në ambientet e organizatës.

Unë marr përsipër të respektoj plotësisht parimet e konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale të përfituesve, stafit dhe funksionimit të shërbimeve të ofruara nga DSA, duke garantuar që çdo informacion i marrë gjatë vizitës të mos shpërndahet apo përdoret për qëllime të paautorizuara.

Në mënyrë specifike, unë deklaroj se:

  • Nuk do të ndaj asnjë informacion personal të përfituesve të shërbimeve me palë të treta, përfshirë por pa u kufizuar në media, familjarë, institucione publike apo private.
  • Nuk do të publikoj, shpërndaj apo komentoj informacion mbi përfituesit, stafin, aktivitetet apo funksionimin e qendrës pa autorizim të shkruar paraprak nga prindërit/kujdestarët ligjorë ose nga drejtuesit e organizatës.
  • Do të ruaj konfidencialitet të plotë edhe pas përfundimit të vizitës sime në organizatë.
  • Çdo kërkesë për informacion ose sqarim lidhur me përfituesit, stafin apo aktivitetet e organizatës do t’i drejtohet vetëm drejtuesve ose personave të autorizuar të DSA për DSA.

Unë e kuptoj që shkelja e kësaj deklarate mund të sjellë pasoja sipas rregulloreve të brendshme të organizatës dhe legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Nënshkrimi: _______________________
Data: _______________________
Vendi: _______________________

Shtojca 3: Forma e pëlqimit prindëror

Forma e aprovimit për foto/video/histori

Ky formular përbën deklarimin dhe dhënien e pëlqimit të informuar, të lirë dhe të shprehur nga pjesëmarrësit në aktivitet ose nga prindërit/kujdestarët ligjorë të tyre, për regjistrimin, përpunimin, përdorimin dhe publikimin e fotografive, videove, regjistrimeve audio dhe/ose historive personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e imazhit.

Subjekti i pëlqimit: Projekti dhe/ose fushata ______________________, e zbatuar nga Down Syndrome Albania.

Unë, ______________________________________, në cilësinë e pjesëmarrësit/prindit/kujdestarit ligjor të fëmijës ______________________________________, deklaroj se jam informuar në mënyrë të plotë, të qartë dhe të kuptueshme mbi qëllimin, natyrën dhe mënyrën e përdorimit të materialeve audio-vizuale dhe jap pëlqimin tim të lirë, të shprehur dhe pa asnjë formë detyrimi për:

  • Regjistrimin e fotografive, videove, materialeve audio dhe/ose mbledhjen e historive personale gjatë zhvillimit të aktivitetit: ____________________________________________;
  • Përpunimin, ruajtjen, përdorimin, riprodhimin, publikimin dhe shpërndarjen e këtyre materialeve nga Down Syndrome Albania, për qëllime informuese, edukative, promovuese, ndërgjegjësuese, dokumentuese dhe raportuese.

Ky pëlqim përfshin, pa kufizim territorial dhe kohor, përdorimin e materialeve në media të shkruara dhe elektronike, përfshirë televizionin, radion, rrjetet sociale, platformat online, faqet zyrtare të internetit, publikimet institucionale, materialet promocionale dhe çdo formë tjetër komunikimi publik, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Deklaroj dhe pranoj shprehimisht se:

  • Jam informuar mbi të drejtat e mia në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë të drejtën për akses, korrigjim dhe, kur është e zbatueshme, tërheqje të pëlqimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
  • Nuk do të kërkoj asnjë kompensim financiar apo çdo formë tjetër shpërblimi për përdorimin e materialeve të sipërpërmendura;
  • Pranoj që materialet e krijuara mund të ruhen dhe arkivohen nga Down Syndrome Albania për një periudhë të pacaktuar, për qëllimet e sipërpërmendura;
  • Down Syndrome Albania gëzon të drejtën e përdorimit të këtyre materialeve në përputhje me ligjin shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e imazhit, si dhe me standardet përkatëse ndërkombëtare për privatësinë dhe etikën.

Duke nënshkruar këtë formular, deklaroj se e kam lexuar, kuptuar dhe pranuar përmbajtjen e tij dhe jap pëlqimin tim në mënyrë të plotë, të lirë dhe të informuar.

Emri Mbiemri: _________________________

Nënshkrimi: _________________________ Data: _________

Shtojca 4: Formati i raportimit dhe regjistrimit të politikës së mbrojtjes së fëmijës

1. Të dhënat e fëmijës/fëmijëve

Emri dhe mbiemri: ____________________________________
Mosha: ____________
Data e lindjes: ____________
Gjinia: ☐ Mashkull ☐ Femër
Adresa: ____________________________________
Gjuhët që flet: ____________________________________

Faktorë shtesë që mund të rrisin rrezikun:

Informacione të tjera relevante:

Të dhënat e prindit/kujdestarit ligjor

Emri dhe mbiemri: ____________________________________
Mosha: ____________
Adresa: ____________________________________
Data e lindjes: ____________
Gjuhët që flet: ____________________________________
Aftësi e kufizuar (nëse ka): ____________________________________
Numër kontakti: ____________________________________

Detajet e referimit

Data: ____________ Ora: ____________
Vendi: ____________________________________
Personi kontaktues: ____________________________________
Profesioni: ____________________________________
Marrëdhënia me fëmijën: ____________________________________

2. Të dhënat e personit të dyshuar/subjektit të shqetësimit

Emri dhe mbiemri: ____________________________________
Shtetësia: ____________________________________
Adresa: ____________________________________
Mosha: ____________
Gjinia: ☐ Mashkull ☐ Femër
Gjuhët që flet: ____________________________________
Marrëdhënia me fëmijën: ____________________________________

3. Përshkrimi i incidentit

Përshkruani sa më saktë incidentin, bazuar në atë që është parë ose raportuar (përfshini kohën, vendndodhjen dhe personat e përfshirë, si dhe fjalët e fëmijës kur është e mundur):

Siguria aktuale e fëmijës (përfshirë vendndodhjen):

A është kërkuar ndihmë urgjente mjekësore? ☐ Po ☐ Jo
Nëse po, specifikoni: ____________________________________

Raportuar nga: ____________________________________

Informacione shtesë relevante:

Personat/institucionet që kanë dijeni për rastin (me kontakt kur është e mundur):

  • Agjenci: ____________________________________
  • Anëtarë familjeje / persona të tjerë: ____________________________________

4. Veprimet e ndërmarra deri më sot

(Përfshini referimet dhe ndërhyrjet e kryera si: policia, shërbimet sociale, mjekësore etj., duke specifikuar datat, oraret dhe kontaktet përkatëse)

5. Mësimet e nxjerra, rekomandime, veprimet e ndërmarra dhe shtojcat

Mësimet e nxjerra:
(Përfshini vlerësim të pikave të forta dhe të dobëta në zbatimin e politikës, menaxhimin e rastit, rekrutimin e stafit, mbikëqyrjen dhe procedurat e brendshme)

Rekomandime:
(Jepni rekomandime konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme dhe për përmirësimin e procesit të identifikimit, raportimit dhe hetimit në të ardhmen)

Shtojca / Dokumentacion mbështetës:
(P.sh. raporte intervistash, shënime në dosje, korrespondencë zyrtare, dokumente të tjera relevante)

Referimi është marrë nga (Oficeri i Dedikuar për Mbrojtjen e Fëmijës, kur është e aplikueshme):

Emri dhe mbiemri: ____________________________________
Pozicioni dhe vendndodhja: ____________________________________
Data: ____________
Nënshkrimi (kopje fizike): ____________________________

Shtojca 5: Kodi i sjelljes

Kufijtë profesionalë vendosen për të mbrojtur integritetin profesional, distancimin e duhur dhe marrëdhënien e saktë midis punonjësit mbështetës dhe përfituesit, dhe bazohen në një kod sjelljeje të detyrueshëm.

Kufijtë dhe rregullat e mëposhtme zbatohen dhe janë detyruese për të gjithë drejtorët, menaxherët, konsulentët, stafin e caktuar (staf i përhershëm, kontraktorë, partnerë të jashtëm) dhe vullnetarët, dhe përcaktojnë detyrimin e tyre për të mos injoruar apo mos raportuar çdo shqetësim, shkelje të dyshuar ose shkelje të parimeve dhe masave të kësaj politike për mbrojtjen:

  • Të trajtohet çdo fëmijë në mënyrë të barabartë dhe me respekt, pa asnjë formë diskriminimi, sjelljeje raciste apo ksenofobike, dhe me qasje pozitive, miqësore dhe jo të dhunshme, duke respektuar identitetin e tyre personal dhe kulturor në përputhje me parimet e kësaj politike.
  • Të respektohet e drejta e fëmijëve për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në procedurat dhe vendimet që i përkasin, duke i informuar, inkurajuar dhe fuqizuar drejt realizimit të të drejtave të tyre.
  • Të respektohen parimet e besimit, konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Në lidhje me këto parime, duhet ndjekur një proces i sigurt i shkëmbimit të informacionit midis profesionistëve dhe palëve të përfshira kompetente. Çdo informacion, të dhënë apo fotografi që lidhet me personin dhe historinë e përfituesit publikohet vetëm me lejen e tij/saj të shprehur dhe vetëm nëse nuk e ekspozon atë ndaj rrezikut të stigmatizimit. Kujdes i veçantë duhet treguar në rastet e fëmijëve.

Ndalohet:

  • Të zhvillohen marrëdhënie personale midis një anëtari stafi (i paguar ose vullnetar) dhe një përfituesi aktual, si dhe hyrja në marrëdhënie personale (përfshirë rrjetet sociale) me një person që ka qenë përfitues gjatë 12 muajve të fundit.
  • Të ndahen të dhënat personale të kontaktit të përfituesve.
  • Të merret përgjegjësia për sende me vlerë në emër të një përfituesi.
  • Përdorimi i gjuhës abuzive, reagimi ndaj sjelljeve/gjuhës së papërshtatshme me ndëshkim ose çdo formë abuzimi.
  • Sjellja në mënyrë të papërshtatshme (p.sh. përdorimi i fjalorit të papërshtatshëm), ose puna nën ndikimin e drogës apo alkoolit. Duhet të ruhet dinjiteti dhe të shërbehet si model sjelljeje për fëmijët.
  • Ndalohet shikimi, publikimi, prodhimi ose shpërndarja e pornografisë që përfshin fëmijë, si dhe shfaqja e materialeve pornografike fëmijëve në çdo kohë, brenda dhe jashtë punës.

Veçanërisht për fëmijët duhet të sigurohet që:

  • Asnjëherë një anëtar stafi ose vullnetar të mos lihet vetëm me një fëmijë për asnjë arsye.
  • Asnjëherë një fëmijë të mos përdoret si përkthyes në procese ose përgjegjësi (p.sh. intervista, historiku social etj.).
  • Asnjëherë të mos preken, përqafohen apo trajtohen fëmijët në mënyrë të papërshtatshme, duke marrë parasysh perceptimin e fëmijës dhe sfondin e tij kulturor, etnik, fetar dhe gjininë.
  • Të mos bashkëpunohet me asnjë aktor privat që vepron kundër interesit më të mirë të fëmijës.
  • Të mos ketë asnjë formë marrëdhënieje seksuale me persona nën 18 vjeç, dhe të mos përdoret gjuhë apo sjellje e papërshtatshme, ngacmuese apo degraduese ndaj fëmijëve.
  • Të mos kryhet sjellje që ndikon negativisht në vetëbesimin dhe vetëvlerësimin e fëmijës.
  • Të mos shfrytëzohet fëmija për punë (p.sh. punë shtëpie).
  • Të mos publikohen fytyrat e fëmijëve në prezantime apo publikime dhe të mos publikohen histori apo imazhe që mund të rrezikojnë ose stigmatizojnë fëmijën, familjen apo komunitetin.
  • Të mos jepet ose inkurajohet dhënia e parave drejtpërdrejt fëmijëve, veçanërisht në situata vulnerabël si viktimat e shfrytëzimit, të miturit e pashoqëruar, viktimat e trafikimit dhe fëmijët në situatë rruge.
  • Të mos përdoret asnjë informacion apo imazh i fëmijëve pa lejen me shkrim të prindërve/kujdestarëve dhe pa marrë parasysh mendimin e fëmijës, pa e detyruar atë në ekspozim publik. Çdo informacion apo foto nuk duhet të rrezikojë fëmijën apo ta ekspozojë ndaj stigmatizimit.
  • DSA nuk lejon që stafi (i paguar ose vullnetar) të japë apo të marrë dhurata/para nga përfituesit. Megjithatë, dhuratat mund të ofrohen nga organizata si pjesë e një aktiviteti të planifikuar.
  • Në rast konflikti interesi, personi përkatës duhet ta diskutojë me menaxherin/drejtorin e caktuar dhe Bordin e DSA-s.

Shkelja e kufijve profesionalë ose e politikave mund të çojë në masa disiplinore ose në procedura për menaxhimin e akuzave. Punonjësi duhet të nënshkruajë një deklaratë që konfirmon se ka lexuar, kuptuar dhe pranuar politikën dhe kodin e sjelljes, si dhe angazhimin për t’i zbatuar ato, duke pranuar se çdo shkelje mund të çojë në përfundimin e angazhimit ose në procedura të tjera disiplinore ose ligjore.

Shtojca 6: Deklarata për stafin dhe konsulentët e DSA-s

(për t’u bashkangjitur kontratës së punësimit ose konsulencës)

  • Kam lexuar dhe kuptuar Politikën e DSA-s për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Procedurat dhe Udhëzimet shoqëruese.
  • Pajtohem të zbatoj Politikën dhe Procedurat e DSA-s për Mbrojtjen e Fëmijëve.
  • Gjithashtu deklaroj se i kam bërë të ditura DSA-s çdo çështje që mund të krijojë shqetësime për mbrojtjen e fëmijëve — reale ose të perceptuara — lidhur me përshtatshmërinë time për punësim ose konsulencë. Konfirmoj se nuk kam ndjekje penale në proces, dhe nuk jam dënuar më parë për ndonjë vepër që lidhet me sjellje të papërshtatshme ndaj fëmijëve.

Emri dhe nënshkrimi: ……………………………………………………………
Data: ……………………………………………………………