Lajmet e fundit

DEKLARATË PËR MEDIAN 3 Dhjetori - Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara

Fondacioni “Down Syndrome Albania” - Qendra e Shërbimeve “PRO PAK” (pjesë e fondacionit)

DEKLARATË PËR MEDIAN


3 Dhjetori - Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara


Financimi, përfshirë ai i shoqërisë civile dhe i organizatave që ofrojnë shërbime – thelbësor për avancimin e të drejtave dhe gjithëpërfshirjen e Personave me Aftësi të Kufizuara

Tiranë, 3 Dhjetor, 2025

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ne rikujtojmë një të vërtetë të thjeshtë, por të domosdoshme: Të drejtat nuk janë dhuratë! Ato janë detyrim!


Situatuata në Shqipëri, për përmbushjen e këtyre të drejtave si dhe e nevojave për shërbime e personave me aftësi të kufizuara mbetet kritike.


Sipas të dhënave zyrtare, rreth 6.5% e popullsisë mbi 5 vjeç jeton me një formë aftësie të kufizuar. Janë të regjistruar rreth 144,000 persona, por vetëm afërsisht 70,000 prej tyre marrin ndihmë financiare.


Sipas institucioneve ndërkombëtare, më shumë se 55% e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri janë në rrezik varfërie ose përjashtimi social — gati 1 në 2. Ky është një nga treguesit më të lartë në Evropë.


Në Shqipëri, zbatimi i kuadrit ligjor dhe i politikave për mbrojtjen sociale, përballet me sfida të theksuara në aksesueshmëri, mbështetje financiare dhe përfshirje sociale; sidomos në zonat rurale të vendit. Ligjet dhe standartet kanë mbetur në letër. Strategjitë përsëriten vit pas viti, ndërsa problemet themelore mbeten të pandryshuara.


Mbrojtja sociale mbështetet kryesisht nga fondet qendrore dhe përfshin skema si ndihma ekonomike, pagesat për aftësinë e kufizuar dhe programet për punësim e strehim. Ndërkohë, shërbimet e kujdesit shoqëror menaxhohen në nivel vendor, por financimi i tyre është i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat në rritje. Në mungesë fondesh, transparence dhe monitorimi, objektivat mbeten fjalë, jo realitet.


Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk ka asnjë raport monitorues të përmbushjes së Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara për 2021 – 2025, dhe asnjë draft publik të planit të ri për vitet 2026-2030. Ndërkohë, me dt 27 Nëntor, Komisioni Parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, shqyrtoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026” pa ftuar personat me aftësi të kufizuara (PAK) dhe organizatat e shoqërisë civile në dëgjesë publike.


Ndërkohë, dhe pse Kuvendi ka instrumentet për monitorim — komisione, interpelanca, vizita dhe raporte — por shumë pak prej tyre përdoren për të kërkuar llogari mbi zbatimin e ligjeve që vetë ka miratuar.

 


Mangësitë kryesore që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme:


1. Shëndetësia dhe Shërbimet Sociale

  • Ka mungesë aksesueshmërie si rampa, pajisje ndihmëse por dhe të stafeve mbështetëse.
  • Ka pamjaftueshmëri të theksuar të shërbimeve bazë terapeutike (rehabilituese) në shumë bashki për të mbuluar nevojat. Familjet I paguajnë vetë shërbimet si fizioterapi, logopedi, terapi zhvillimi, terapi ABA dhe ka një mungesë shumë më të madhe për shërbime për persona me aftësi të kufizuara në moshë madhore.
  • Organizatat si e jona, janë shpesh e vetmja ndihmë për familjet me pamundësi financiare për të siguruar privatisht shërbimet. Në mungesë të mbështetjes financiare nga shteti, dhe një mungese të theksuar të fondeve nga donatorë të huaj organizatat shërbim ofruese për PAK, janë në rrezik ekzistence.
  • Procesi i vlerësimit të aftësisë së kufizuar (KMCAP) është i ngadaltë, burokratik. Mbi të gjitha, shërbimet e identifikuara në raportet e këtyre vlerësimeve mbeten pa referim dhe të paaksesueshme nga personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre.

 

2. Mbështetja Financiare dhe Transparenca

  • Pagesat mujore të aftësisë së kufizuar janë shumë poshtë kostos reale të jetesës si dhe kostos së sigurimit të shërbimeve bazë. Ndërkohë vetm 1 në 4 persona me aftësi të kufizuara përfiton dhe pagesën e shërbimit të kujdestarisë.
  • Shqipëria nuk ka ende minimum jetik zyrtar, prandaj askush nuk mat nëse pagesat e aftësisë së kufizuar mbulojnë nevojat reale.
  • Mungojnë fondet për karroca, aparate dëgjimi, pajisje ortopedike, etj.
  • Transparenca buxhetore është e kufizuar; nuk ka linjë të dedikuar financiare për PAK.

Shembull konkretizues: Bashkia Tiranë

  • Ofron 216 shërbime sociale, por vetëm 4 prej tyre i dedikohen të rriturve me aftësi të kufizuar.
  • Pesha e shpenzimeve sociale ka rënë nga 13.2% (2018) në 9.8% (2023).
  • Vetëm 1.4% e shpenzimeve sociale financohen nga të ardhurat vendore.
  • Investimet kapitale për kujdes social janë vetëm 2.6% e buxhetit, me një realizim prej vetëm 47%.
  • Për periudhën 2026–2027 nuk ka plane investimi për shërbimet e PAK.

 

3. Arsimi dhe Punësimi

  • Nga rreth 15,000 fëmijë me aftësi të kufizuara, vetëm 3,575 ndjekin shkollat publike.
  • Vetëm 25% e shkollave janë fizikisht të aksesueshme.
  • Mungojnë materiale të përshtatura, programe ndihmëse dhe trajnimet për mësuesit.
  • Punësimi i PAK mbetet minimal, pavarësisht kuotave ligjore.
  • Programet e aftësimit për punësim, si dhe arsimi professional nuk janë efektive sidomos për personat me aftësi të kufizuara intelektuale.
  • Vendet e punës nuk janë të adaptuara dhe nuk monitorohet zbatimi i ligjit për personat me aftësi të kufizuara.

 

4. Transporti, Infrastruktura dhe Informacioni Publik

  • Autobusët dhe stacionet janë kryesisht të paaksesueshme.
  • Ndërtesat dhe hapësirat publike shkelin standardet e aksesueshmërisë.
  • Informacioni publik mungon në gjuhën e shenjave dhe formatet alternative.

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, u bëjmë thirrje qeverisë shqiptare dhe komunitetit donator përfshirë Bashkimit Evropian, që të financojnë dhe mbështesin në mënyrë të duhur organizatat e personave me aftësi të kufizuara, shërbimet që ato ofrojnë dhe shoqërinë civile në përgjithësi - pasi lëvizja për të drejtat e PAK vazhdon të funksionojë me mbështetje minimale dhe të paqëndrueshme.

 
Organizatat e personave me aftësi të kufizuara janë thelbësore për një proces politik demokratik, gjithëpërfshirës dhe të përgjegjshëm. Pjesëmarrja e tyre është një detyrim sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, të cilën Shqipëria e ratifikoi në vitin 2012.


Megjithatë, pa financim të mjaftueshëm, pa konsultim të rregullt dhe pa mekanizma institucionalë, parimet e Konventës mbeten ende larg zbatimit të plotë.


Në Shqipëri vërehet një model kronik i nën-financimit të organizatave të PAK:

  • Financimi shtetëror për organizatat është simbolik dhe i paparashikueshëm, shpesh vetëm përmes thirrjeve projekte afatshkurtra dhe me vlera të vogla.
  • Organizatat që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta — terapi, ndërhyrje të hershme, mbështetje për punësim, shërbime komunitare — varen pothuajse plotësisht nga donatorët ndërkombëtarë dhe nga kontributet private.
  • Shumë organizata lokale kanë reduktuar shërbimet ose janë mbyllur për shkak të mungesës së mbështetjes strukturore.


Si shërbimet ashtu dhe shoqëria civile shqiptare preken nga mungesa e mbështetjes


Tre sektorë kyç në Shqipëri janë më të goditurit:


1. Organizatat e/për personave/t me aftësi të kufizuara
Shumë prej tyre funksionojnë vetëm me staf minimal ose vullnetarë, pa kapacitet për të ndërtuar ekspertizë afatgjatë.


2. Shërbimet për personat me aftësi të kufizuara
Ndërhyrja e hershme, terapitë, shërbimet komunitare, arsimi gjithëpërfshirës dhe punësimi me mbështetje janë të domosdoshme. Megjithatë, buxheti kombëtar mbulon vetëm një pjesë shumë të vogël të këtyre nevojave, duke i lënë familjet të varen nga OJF-të dhe donacionet.


3. Shoqëria civile në tërësi
Mungesa e fondeve, kufizimet procedurale dhe mungesa e mekanizmave shtetërorë cënojnë rolin e shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave — përfshirë ato të fëmijëve, grave, të rinjve dhe grupeve vulnerabël.

 


Pa një shoqëri civile të fortë, të drejtat nuk avancojnë në asnjë fushë.

 

I bëjmë thirrje Qeverisë shqiptare që:

  • Të sigurojë financim të mjaftueshëm për shërbimet e PAK dhe të rrisë investimet afatgjata për aksesueshmërinë (në infrastrukturë, pajisje ndihmëse dhe aksesueshmëri në në informacion dhe shërbime publike). Kërkojmë prioritizim të mbështetjes bazuar në nevojat reale të personave me aftësi të kufizuara. Kërkojmë të rriten financimet për shërbimet e PAK në nivel vendor.
  • Të kostojë shërbimet dhe të krijojë një mekanizëm ligjor dhe financiar për financim të qëndrueshëm të oganizatave që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara si dhe të mbrojë hapësirën e shoqërisë civile.
  • Të sigurojë pjesëmarrje reale të PAK dhe organizatave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Kërkojmë transparencë të plotë dhe raportim periodik financiar si dhe krijimin e linjave buxhetore të dedikuara për PAK.
  • Të forcojë kapacitetet institucionale për koordinim të qartë ndërmjet strukturave.


I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian dhe komunitetit të gjerë donator:

  • BE të rrisë financimin për Organizatat në kuadër të Kornizës së re Financiare Shumëvjeçare, duke përfshirë edhe vendet kandidate si Shqipëria.
  • BE të prioritizojë përfshirjen e PAK dhe organizatave që i përfaqësojnë, në procesin e zgjerimit, veçanërisht në kapitujt që lidhen me të drejtat sociale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
  • Organizatat ndërkombëtare, dhe agjensitë donatore përfshirë ato për kooperim dhe zhvillim, të vlerësojnë nevojat reale të PAK në Shqipëri dhe të ndërtojnë programe financuese dhe mbështetëse për organizatat e/dhe për PAK e sidomos në drejtim të sigurimit të shërbimeve.


Mesazhi ynë për 3 Dhjetorin është i qartë:


Eshtë kërkesë për të drejta, për shërbime, për aksesueshmëri, për gjithëpërfshirje dhe për të jetuar me dinjitet.

Ky nuk është një apel për dhembshuri e lëmoshë. Kërkojmë vëmendje, veprime, investime dhe buxhetim që mbulon nevojat reale të një personi me aftësi të kufizuara dhe të familjeve ku ata jetojnë.
______________________________________________________________________________

 

Kontakt për median:

Emanuela (Pepkola) Zaimi, MA

Themeluese dhe Drejtuese e Fondacionit Down Syndrome Albania

Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.