Thirrje për punësim: Logoped/Terapist të foluri për shërbimin e Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme, ECI (të ofruar në shtëpi)
Termat e Referencës
(Tors)
| Pozicioni/Shërbimi: | Logoped/Terapist të foluri për shërbimin e Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme, ECI (të ofruar në shtëpi) |
| Projekti/Emri i Programit: | “Aleanca për zgjerim të shërbimeve të integruara sociale dhe mirëqeverisje në rajonin e Tiranës” |
| Mbështetur nga: | Bashkimi Evropian Kontrata nr. IPA/2022/433-138 |
| Zbatuesi Kryesor: | Fondacioni Down Syndrome Albania (DSA) |
| Partner në zbatim: | Bashkia Tiranë |
| Lloji i kontratës: | Kontratë shërbimi |
| Periudha e kontratës: | Janar – Qershor 2024 |
| Ditët e punës/shërbimi: | 14 orë në javë, 140 orë në total |
Fondacioni Down Syndrome Albania (DSA) është një organizatë jo qeveritare dhe jo fitimprurëse themeluar në vitin 2013 dhe punon në fushën e të drejtave të njeriut, me fokus tek të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
DSA advokon për të drejtat dhe nevojat e individëve me sindromën Down dhe aftësi të tjera të kufizuara në Shqipëri dhe ofron shërbime për fëmijet dhe të rriturit me aftësi të kufizuara intelektuale dhe sfida në zhvillim. Fushat tona të ekspertizës përfshijnë; vlerësimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve; hartimin e planeve individuale të ndërhyrjes terapeutike apo mbështetëse në qendër apo ambjente natyrale (shtëpi ose institucion arsimor), aplikimin dhe ndjekjen e këtyre planeve; mbështetje të prinderve përmes këshillimeve individuale dhe seancave në grup; trajnime me fokus kryesor tek mësuesit, psikologët, terapistë të gjuhës dhe të folurit, punonjës sociale dhe të tjerë profesionistë që punojnë me individë me aftësi të kufizuara; botimin e udhërrëfyesëve praktikë për punën profesionale në fushën e aftësisë së kufizuar; konceptimin dhe zbatimin e fushatave advokuese, ndërgjegjësuese si dhe të fushatave për mbledhje fondesh; organizimin e konferencave dhe tryezave të rrumbullakta me fokus aftësinë e kufizuar.
Bashkia Tiranë ka në misionin e saj qeverisjen efektive, efikase dhe sa më pranë qytetarëve duke ofruar shërbime cilësore, njohjen e të drejtave dhe mbështetjen e respektimin e të drejtave dhe lirive themelore bazuar dhe në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe ndërkombëtar.
Fondacioni Down Syndrome Albania në partneritet me Bashkinë Tiranë dhe me mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian, ka filluar implementimin e projektit “Aleanca për Zgjerim të Shërbimeve të Integruara Sociale dhe Mirëqeverisje në Rajonin e Tiranës”. Ky projekt mbështetet nga Programi “Local level partnerships to advance social inclusion in Albania” i financuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti është dizenjuar që t’ju vijë në ndihmë fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuar si edhe familjeve të tyre të cilat kanë vështirësi ekonomike dhe sociale apo vijnë nga grupe të margjinalizuara. Impaktiqë projekti do të ketë në komunitetin e personave me aftësi të kufizuar në qytetin e Tiranës është ofrimi i shërbimeve të integruara sociale për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre me vështirësi ekonomike që jetojnë në Tiranë dhe përmirësimi i kapaciteteve të profesionistëve të fushës së aftësisë së kufizuar dhe institucioneve të qeverisjes vendore për ofrimin e shërbimeve cilësore, qeverisjen e mirë dhe transparencën.
Qëllimi i shërbimit:
Qëllimi i ndërhyrjes në shtëpi është të mbështesë fëmijën dhe familjen në të njëjtën kohë me qëllim rritjen e aftësive praktike të prindit për trajtimin e fëmijës në mjedisin familjar dhe përmirësimin e aftësive të fëmijës.
Logopedi/Terapisti i të folurit do të vizitojë familjen një herë në javë dhe do t’i ofrojë shërbime drejtpërdrejt fëmijës dhe do t’i fuqizojë prindërit për të kryer ndërhyrje të mëtejshme.
Ky shërbim do të ofrohet për 10-15 fëmijë me aftësi të kufizuara për 5 muaj. Gjithashtu shërbimi do të ofrohet ballë për ballë ose nëse familja ka vështirësi me vizitat fizike, do të ofrohet online për të fuqizuar dhe edukuar prindërit për ta ofruar shërbimin.
Ky aktivitet do të zbatohet nga Fondacioni Down Syndrome Albania në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë Tiranë për identifikimin e rasteve.
Në kuadër të implementimit të këtij projekti, Fondacioni Down Syndrome Albania në bashkëpunim me partnerin në zbatim Bashkia Tiranë, kërkon të kontraktojë një Logoped/Terapist të foluri për shërbimin e Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme, ECI (të ofruar në shtëpi).
Përgjegjësitë e ekspertit
- Si pjesë e ekipit multidisiplinar, Logopedi/Terapisti i të folurit vlerëson nevojat e fëmijës dhe familjes në lidhje me gjuhën dhe komunikimin
- Harton Planin e ndërhyrjes për fëmijën
- Harton Planin e ndërhyrjes për familjen
- Bashkëpunon dhe këshillon familjen mbi teknikat që ata mund të përdorin për të mbështetur fëmijën për të komunikuar.
- Mbështet prindin në mënyrë që të forcojë marrëdhënien e tyre me fëmijën dhe anëtarët e tjerë te familjes duke ndihmuar në këtë mënyrë zhvillimin sa më të mirë të fëmijës me aftësi të kufizuara.
- Përgatit materialet e nevojshme për ndërhyrjen në shtëpi
- Mban të dhënat për ecurinë e fëmijës dhe familjes
- Ndjek dhe raporton tek Manaxheri realizimin e aktiviteteve sipas planit kohor
Përgjegjësitë e Fondacionit Down Syndrome Albania në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë
- Të përgatisë kalendarin e ofrimit të orëve të ndërhyrjes me datat specifike;
- Të sigurojë transportin në familje
- Të lehtësojë proçesin e organizimit të terapisë, mjetet e punës, dhe çështje të tjera logjistike;
- Të surpevizojë shërbimin e ofruar nga terapisti i të folurit/logopedi
- Të paguajë ekspertin sipas kushteve të rëna dakord në kontratë
Vendi i Punës
Shërbimi do të ofrohet në 3 njësi administrative të Bashkisë Tiranë të cilat do të përcaktohen në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe duke patur në konsideratë nevojat e target grupit.
Politikat e mbrojtjes së fëmijëve të Fondacionit Down Syndrome Albania:
- Personat që do të punojnë me Kontrata Shërbimi për Fondacionin Down Syndrome Albania duhet të pranojnë me shkrim se ata kanë kuptuar “Politikën e Fondacionit Down Syndrome Albania për Mbrojtjen e Fëmijëve”
Proçedura e aplikimit:
Eksperti duhet të përmbushë kërkesat si më poshtë:
- Të jetë i/e diplomuar në nivelin Bachelor ose Master në degën Logopedi
- Të jetë i/e liçensuar në Logopedi
- Të ketë jo më pak se 2 vite eksperiencë pune në ushtrimin e profesionit të tij/saj me fëmijë
- Të ketë ndjekur trajnime kualifikuese shtesë në fushën e aftësisë së kufizuar
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë:
- CV e përditësuar duke përfshirë eksperiencat e mëparshme në projekte të ngjashme
- Kopje e Diplomës Bachelor ose Master
- Kopje e Liçences për ushtrimin e profesionit të Logopedit
- Çertifikata te trajnimeve (në rast se dispononi)
Planifikimi i pagesës:
Shërbimi i ofruar nga eksperti do të paguhet sipas kushteve të paracaktuara dhe të rëna dakord në kontratë.
Procesi i vlerësimit:
Fondacioni Down Syndrome Albania zotohet se do të zbatojë një proçes të drejtë përzgjedhjeje që do të konsiderojë si kualifikimin teknik të ekspertëve ashtu edhe propozimet e tyre financiare.
Kontrata do t’i jepet kandidatit, oferta e të cilit duhet të përmbushë kërkesat si më poshtë:
- Konsiderohet teknikisht në përputhje /e pranueshme me kriteret e vendosura më lart (vetëm aplikimet/ kandidatët teknikisht të përgjegjshëm do të merren parasysh për vlerësimin financiar)
- Dhe ka marrë rezultatet më të larta të kombinuara teknike dhe financiare.
Kriteret Teknike – 70% e vlerësimit total – pikë maksimale: 70
Kriteri A: Përputhshmëria e formimit akademik- pikë maksimale: 25
Kriteri B: Eksperienca e mëparshme e punës në fushën e aftësisë së kufizuar – pikë maksimale: 25
Kriteri C: Ndjekja e trajnimeve shtesë – pikë maksimale 20
Kriteret Financiare – 30% e vlerësimit total – pikë maksimale: 30
Kandidatët që kanë marrë një minimum prej 70% (49 pikë) të pikëve maksimale të arritshme për kriteret teknike (70 pikë) do të konsiderohen për vlerësimin financiar.
Kandidatët janë të lutur të dërgojnë aplikimet e tyre në adresat elektronike (to): f.shehu@dsalbania.org dhe (cc) info@dsalbania.org me subjekt/titull e-maili: Aplikim_Terapist të foluri/Logoped për Shërbimin e Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme deri me 29 Dhjetor 2023.
