Buddy Walk 2016
- Written by dsa_u1
- Published in Lajmet e fundit
- Hits: 5021
- Print , Email
Buddy Walk Tirana, 2016
Edhe këtë vit, Fondacioni Down Syndrome Albania, organizojë aktivitetin Buddy Walk® Albania me temë “Eja të kesh një shok për kokë përkrah teje”. Buddy Walk Albania është një ecje ndërgjegjësuese me qëllim promovimin e të drejtave dhe nevojave të individëve me sindromën Down.
Nisma Buddy Walk®, është konceptim i Shoqatës Kombëtare Amerikane të Sindromës Down (NDSS), dhe për herë të parë u organizua në vitin 1995 për të festuar tetorin, muajin e sensibilizimit për sindromën Down dhe për të promovuar pranimin dhe gjithëpërfshirjen e individëve me sindromën Down. Të drejtën për organizimin e këtij eventi në Shqipëri e ka Fondacioni Down Syndrome Albania.
Ecja ndërgjegjësuese Buddy Walk Albania, këtë vit filloi nga Materniteti "Mbretëresha Geraldinë" dhe mbaroi tek Tirana Sport Zone, Sheshi Nënë Tereza.
Në këtë aktivitet, ishin të pranishëm ambasadorja e Bashkimit Europian për Shqipërinë, Zj. Romana Vlahutin dhe Zj. Nora Malaj, Zëvëndesministre në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Në fjalimin e saj për media, Zj. Romana Vlahutin, theksoi se është shumë e rëndësishme që ne të japim dhe të mbështesim shërbimet e duhura për të gjithë fëmijët në shoqërinë tonë, e në veçanti për ata fëmijë që kanë nevoja të veçanta. Duhet që këtyre fëmijëve t'u ofrohen mundësi që të eksplorojnë talentet e tyre, sepse kjo do i ndihmojë ata që të rriten më shëndetshëm dhe që në të ardhmen të jenë qytetarë më të mirë. Mbështetje e madhe duhet t'u ofrohet edhe familjeve të tyre. Të gjitha këto janë përgjegjësi e shtetit, por jo vetëm,sepse fëmijët tanë janë përgjegjësi e të gjithë neve, prandaj ndryshimi dhe mbështetja duhet të vij nga e gjithë shoqëria.
Zj. Malaj, theksojë se në sistemin e arsimit në Shqipëri, aktualisht kemi rreth 50 fëmijë me sindromën Down, të cilët vijojnë mësimin, dhe se numri i fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në arsim po rritet çdo vit e më shumë. Si rrjedhojë e kësaj, Zj. Malaj tha se, edhe numri i mësuesve ndihmës po rritet, duke ndihmuar kështu mësuesit, prindërit dhe komuntetin që bën pjesë në edukimin e fëmijës.
Zj. Malaj, i bëri apel gjithë komunitetit që të bëhen pjesë e ndryshimeve që po bëhen në sistemin arsimor, komunitetit të prindërve që të bëhen pjesë e integrimit të këtyre fëmijëve dhe të mos bëjnë dallime për këtë kategori. Ndër të tjera Zj. Malaj ftoj pushtetin vendor, shoqërinë civile dhe mediat që të bëhen promotorë i të drejtave dhe kauzës së individëve me sindromën Down.