21 Marsi, DBSD 2014
21 marsi i vitit 2014 shënon përvjetorin e 9-të të Ditës Botërore të sindromës Down, dhe çdo vit në këtë datë zëri i njerëzve që kanë këtë sindromë apo i atyre që jetojnë me ta rritet së shumti. “Shëndeti dhe mirëqenia- qasje dhe barazi për të gjithë”- ky do të jetë slogani ku do të përqendrohen aktivitetet e këtij viti në këtë datë që është zgjedhur në mënyrë simbolike për të personifikuar ndryshimin gjenetik të trefishimit të kromozomit 21, mutacion ky që shkakton sindromën Down.
Të dhënat tregojnë se në nivel global 1 në 800 lindje të gjalla rezulton me sindromën Down. Ndaj kjo ditë, për të theksuar të drejtat e tyre është themeluar në vitin 2006 nga Shoqata Kombëtare e Sindromës Down në Amerikë dhe është ndjekur nga shumë shtete më pas.
Synimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi, informimi si dhe promovimi i të drejtave për personat që kanë këtë sindromë në mënyrë që të jetojnë me dinjitet e për të qenë aktivë e pjesëmarrës në komunitetin dhe shoqërinë ku jetojnë.
Një rezolutë për ta përcaktuar 21 marsin si ditën ndërkombëtare të sindromës down është adaptuar me konsensus nga asambleja e përgjithshme e kombeve të bashkuara në dhjetor të vitit 2011.
Mesazhi i sekretarit të përgjithshëm të kombeve të bashkuara Ban Ki-moon për këtë ditë është ky: “në jetën e punës stereotipet ndaj personave me sindromën Down shpesh tregojnë se atyre u janë mohuar mundësitë e formimit profesional dhe e drejta e tyre për të punuar. Në sferën politike dhe publike, personat me sindromën Down dhe persona të tjerë me aftësi të kufizuara intelektuale shpesh privohen nga e drejta e tyre për të votuar dhe nga pjesëmarrja e plotë në procesin demokratik”.
Gjithsesi lajmi më i mirë vjen nga ekspertët e fushës. Thuajse të gjithë bien dakord në një pikë të vetme: në rast të një trajtimi të kujdesshëm shëndetësor si edhe të një trajtimi terapeutik, individët me këtë sindromë mund të arrijnë të gëzojnë një jetë të gjatë, të pavarur dhe të shëndetshme e t’i shërbejnë komunitetit si çdo individ tjetër…